Furnizimi me barna në QKUK, 36.7 për qind

Ilustrim

Ndër problemet dhe sfidat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon të jetë ndër vite edhe mungesa e barnave.

Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi.

Por, në kuadër të rritjes së efikasitetit të menaxhimit, siç thonë zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është bërë klasifikimi i listës në tri kategori: lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të duhej të përmbushet 100 për qind në mënyrë që pacientët të mos vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barna, prej të cilave u varet jeta.

Mirëpo, aktualisht, lista vitale brenda Qendrës Klinike Universitare është e përmbushur vetëm 36.7 për qind, derisa listat tjera janë edhe më pak, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu.

“QKUK gjatë vitit që e lamë pas nuk ka arritur të furnizohet me barna. Kërkesat nga klinikat kanë qenë shumë më të mëdha krahasuar me mundësitë buxhetore dhe furnizimin që e ka bërë Ministria e Shëndetësisë. Raporti zyrtar i barnatores qendrore flet që totali i përgjithshëm i furnizimit me barna vitale ka qenë 36.7 për qind. Ka pasur shumë më shumë kërkesa nga repartet dhe klinikat sesa mundësi për furnizim”, shprehet Fazliu.

Ndërkaq Xhemajl Selmani, kryetar i sindikatës së shëndetësisë, tha për Raion Evropa e Lirë se një prej arsyeve pse asnjëherë nuk është përmbushur lista esenciale me barna, përpos buxhetit të limituar, janë edhe keqpërdorimet nga vetë zyrtarët e niveleve të ndryshme.

“Realisht edhe vetë statistikat që i ka nxjerr Ministria e Shëndetësisë flasin. Furnizimi nuk është adekuat dhe as i përafërt me pritjet. Ne përballemi çdo ditë me vështirësi dhe këto pasoja i bart populli por edhe ne. Edhe në aspektin buxhetor vlera e buxhetit është e vogël, por sikur mos të kishin qenë keqpërdorimet shërbimet do të funksiononin më mirë”.

“Pas luftës kemi funksionuar shumë më mirë se sot, me buxhet edhe më të vogël. Me keqardhje mund të konstatoj se keqpërdoruesit në nivele të ndryshme e rrisin koston e barnave, materialit shpenzues, dhe deri sa t’i kemi keqpërdoruesit në sistem do përballemi me probleme të këtyre natyrave”, thotë Selmani.

Në anën tjetër, pacientët thonë se sa herë kanë shkuar në spital, barnat është dashur t’i blejnë vetë.

“Janë të shtrenjta barnat. Unë jam pensionist. Bashkëshorten e kam qe 16 vjet të palëvizshme. Krejt i blej vetë. Me 100 euro pension. Njëjtë sikur unë që jam pensionist, si për dikë që e ka rrogën 3 mijë euro. Është dashur shteti të mendojë për ne”, thekson pensionisti Ali Hajdari.

Derisa zoti Fazliu shpjegon se edhe përkundër premtimeve nga zyrtarë të lartë se vitit 2014 do të jetë më i mirë sa i përket furnizimit me barna e material shpenzues, ai thotë se pritjet e tyre nuk janë të mëdha duke e pasur parasysh buxhetin e limituar.

“Menaxhmenti është në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe kanë thënë që këtë vit, vetë institucionet shëndetësore do të menaxhojnë me barna, por deri më tash nuk ka diçka konkrete, përveç që është premtuar se QKUK-ja do t’i ketë kontratat me operatorët e lidhur ekonomik, në mënyrë që porosia të bëhet direkt. Presim që furnizimi të jetë më i mirë”.

“Por duke e marrë parasysh buxhetin e përcaktuar për barna, mungesat do të vazhdojnë, pasi që kërkesat janë shumë më të mëdha sesa mundësitë për furnizim, dhe një pjesë e madhe shkon për citostatik, e që e dimë që janë shumë të shtrenjta dhe harxhojnë një buxhet të konsiderueshëm të përcaktuar për barna”, bën të ditur Fazliu.