Ndërlidhjet

Shëndetësi: Procedurat e tenderimit dhe furnizimit me barna


Ilustrim
Ilustrim
Ndër problemet dhe sfidat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë këtij viti ka qenë mungesa e barnave nga lista esenciale.

Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi.

Por, në kuadër të rritjes së efikasitetit të menaxhimit, siç thonë zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është bërë klasifikimi i listës në tri kategori: lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të duhej të përmbushet 100 për qind në mënyrë që pacientët të mos vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barna, prej të cilave u varet jeta.

Mirëpo, aktualisht, lista vitale brenda Qendrës Klinike Universitare është e përmbushur vetëm rreth 48 për qind, derisa listat tjera janë edhe më pak, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë drejtori i QKUK-së Njazi Gashi.

Por, ngushtë me furnizim ndërlidhen procedurat e prokurimit.

Zoti Gashi pohon se procedurat e prokurimit shpeshherë nuk përshtaten me specifikat në shëndetësi, dhe sipas tij ato janë ndonjëherë të vonuara e si rezultat institucionet shëndetësore mbesin pa barna.

“Janë mjaft të komplikuara procedurat e tenderimit pasi që operatorët nuk janë të interesuar të aplikojnë për faktin që çmimet që ne i ofrojmë janë të ulët, apo për faktin që sigurimi apo sjellja e tyre në Kosovë prej shteteve ku prodhohen ato, janë mjaft të rënda, dhe të vështira dhe kostoja e tyre kish me qenë me një çmim enorm që me çmimet tona nuk mund të pranohen, andaj këtu lindin problemet me mungesë barnash”, thotë Gashi.

Por, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka bërë të ditur se furnizimi me barna është përmirësuar dhe që mungojnë barna dhe material shpenzues që janë shumë të lira, dhe ekzistojnë barnat shumë të shtrenjta brenda klinikave.

Ai ka shtuar se tashmë është ndërruar struktura e buxhetit, duke e decentralizuar atë dhe duke ua lënë në dispozicion institucioneve shëndetësore, në mënyrë që nga data 1 janar i vitit 2014, ata do të jenë në gjendje që të furnizohen drejtpërdrejt nga operatorët që kontratat i ka nënshkruar Ministria e Shëndetësisë.

Më nuk do të ketë kurrfarë arsyetimi pse nuk ka gazmaska, kapela, maska, gjilpëra, që krejt të mblidhen kushtojnë 5 euro, derisa brenda klinikave, si në Institutin Onkologjik, ka ilaçe që kushtojnë 1,500 euro. Shpesh është në spikamë, instituti onkologjik që nuk po arrin t‘i mbulojë gjitha kresat, normal që nuk arrin me këtë buxhet, por vitin e kaluar vetëm në institutin onkologjik janë shpenzuar 7 milionë euro vetëm për citostatikë. Andaj është mirë t’i keni parasysh këto perimetra”, thotë ministri Agani.

Ndërkaq Zoti Gashi gjithashtu shton se barnat blihen nga Ministria e Shëndetësisë, andaj edhe i shpjegon procedurat që rrjedhin deri te furnizimi, dhe se mungesat e mëdha të barnave i arsyeton me procedura të ndërlikuara.

Kërkesat zakonisht prej klinikave nga drejtorët e tyre dhe specifikat përpilohen në nivel të kolegjiumit final të secilës klinikë, derisa ato dërgohen në barnatore qendrore, dhe ato në Ministrinë e Shëndetësisë ku edhe bëhet prokurimi për barnave sipas nevojave. Kështu janë procedurat”, shprehet Njazi Gashi.

Sidoqoftë zoti Gashi pohon se brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës blihen barna jashtë listës esenciale, pasi që ky institucion posedon një fond të veçante për barna, në raste specifike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG