Ndërlidhjet

Procedurat e vonuara të tenderimit me ilaçe


Ndër problemet dhe sfidat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës edhe në këtë gjashtë mujor ka qenë mungesa e barnave nga lista esenciale.

Por, ngushtë me furnizim ndërlidhen procedurat e prokurimit.

Vetë drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Njazi Gashi, ka thënë se procedurat e prokurimit nuk përshtaten me specifikat në shëndetësi, dhe sipas tij ato janë shpesh të vonuara.

"Problemet e QKUK-së janë procedurat e prokurimit që nuk përshtaten me specifikat në shëndetësi. Gjithashtu ne jemi ballafaquar këtë vit edhe me furnnizimi të paqëndrueshëm me barna, buxheti i limituar dhe të shkurtuarat pas rishikimit", është shprehur zoti Gashi.

Ndryshe, furnizimi me barna nga lista esenciale në QKUK këtë vit ka qenë 39%, me citostatikë 31%, se dhe me material shpenzues 25%.

Por Gani Shabani, ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka raste kur për shkak të procedurave të tenderimit vonohen barnat edhe nga lista esenciale, por që sipas tij, kjo varet nga shumë faktorë.

"Procesi i tenderimit varet nga operatorët ekonomikë që konkurrojnë dhe specifikat që i bëjnë institucionet shëndetësore. Shpeshherë ato specifika që bëhen nuk janë në tregun e Kosovës nuk ka nga operatorët ekonomik, apo ehe ankesat bëjnë që të shtyhet apo të pritet me afatet ligjore që i përcakton ligji i prokurimit", bën të ditur Shabani.

Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi.

Por, në kuadër të rritjes së efikasitetit të menaxhimit, siç thonë zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është bërë klasifikimi i listës në tri kategori. Lista vitale, ajo esenciale dhe jo esenciale.

Lista esenciale do të përmbushet 100 për qind, dhe pacientët nuk do të vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barnat që u varet jeta nga to.

"Nga lista esenciale me grupin punues është formuar lista e barnave esenciale dhe jo esenciale. Tash ato vitale, ministria mundohet që 100% të bëjë furnizimin e tyre derisa ato esenciale dhe jo esenciale mundohemi me atë buxhet që e kemi të bëjmë dhe furnizimin", shpjegon Shabani.

Derisa Haxhi Avdyli, neurokirurg, njëherësh ekspert i grupit për shëndetësi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se procedurat e tenderimit në shëndetësi shkaktojnë shpesh vonesa të pakuptimta në furnizim.

Sipas tij, ky proces është i njëjtë sikur për mjete tjera që nuk kanë urgjencë.

"Në shëndetësi medikamentet mund të harxhohen pa plan. Dhe procedurat e tenderimit kanë shkaktuar pengesa në punën e sallave të operacionit dhe klinikave në përgjithësi. Një reformim i procesit të tenderimit është i nevojshëm në shëndetësi dhe një planifikim i menaxhmentit që duhet të jetë një vjeçar, dhe kështu do t'i iknim procedurave të tenderimit dhe mungesave të panevojshme", shprehet Avdyli.

Sidoqoftë zyrtarë të lartë brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se që nga viti i ardhshëm kompetenca e furnizimit me barna do t'i takojë institucioneve shëndetësore.

Dhe si rrjedhojë Ministria e Shëndetësisë do të lirohet nga kjo përgjegjësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG