Ndërlidhjet

Institucionet publike shëndetësore pa insulinë


Në institucionet publike shëndetësore, tash e 11 ditë mungon insulina, e cila shërben për pacientët që vuajnë nga diabeti.

Mungesa e këtij medikamenti po u shkakton telashe shëndetësore pacientëve.

Sadete Kastrati, vuan nga diabeti, dhe qe 5 vjet përdor insulinë.

"Nuk e di pse është ndërprerë furnizimi. Unë e di që neve si pacientë po na shkakton shumë probleme shëndetësore. Që 10 ditë rresht çdo ditë vi në Qendrën e Mjekësisë Familjare për ta marrë insulinën, e kërkoj atë, por nuk ka".

"Shumë keq, sepse ne na varet jeta nga insulina. E ilaçet që janë në listë esenciale nuk shiten në barnatore, do të thotë, ne as me e ble atë ilaç nuk kemi mundësi, sepse nuk gjendet", thotë Kastrati.

Edhe Minire Kallaba, paciente, thotë se është shumë problem të ndërprehet një terapi e tillë.

"Është shumë problem po qe se ndërpritet terapia me insulinë. Nuk preferohet me të ndërpritet insulina. Insulina nuk zëvendësohet me barna. Duhet patjetër të jemi të rregullt në marrjen e insulinës. E ky ilaç tash e 11 ditë mungon. Pa qenë me diabet, askush nuk e kupton sa e vështirë është të ndërpritet terapia, sa keq ndjehesh me shëndet, po qe se nuk ke insulinë".

Avdullah Hoti, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë thotë se Ministria e Shëndetësisë është e obliguar që të furnizojë institucionet me barna esenciale, derisa sipas tij shumë nga to mungojnë.

Ai flet për mungesën e insulinës, ilaç ky i cili tash e njëmbëdhjetë ditë po mungon. E si pasojë, tashmë 1,080 pacientë të Komunës së Prishtinës kanë mbetur pa këtë lloj ilaçi.

"Është obligim i Ministrisë së Shëndetësisë të furnizohet QKMF-ja me insulinë. Zakonisht furnizimi bëhet nga data 1 deri 5 i muajit, por këtë herë nuk e di çka ka ndodhur. Sot është i 11-i dhe ne nuk kemi insulinë".

"Na mungojnë edhe shumë artikuj tjerë. Ministria e Shëndetësisë duhet të na informojnë nëse do të ketë mungesë, të çfarëdo ilaçi, derisa nuk kemi marrë ndonjë lajm nga ta se do të ketë mungesë", shprehet Hoti.

Në muajin shkurt të këtij viti, në disa institucione publike shëndetësore në Kosovë janë futur në mënyrë të pashpjeguar ilaçe të llojit insulinë, me banderola të Republikës së Serbisë, gjegjësisht të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Serbisë.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë ato janë futur në mënyrë të pa kontrolluar.

E mungesën e insulinës tash, zyrtarë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë e lidhin me problematikën në fjalë.

Gani Shabani, ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, thotë se furnizimi me insulinë do të bëhet brenda 4 ditësh, por mungesa ka të bëjë me kontroll më të madh se deri tani, për shkak të futjes së paligjshme që ka ndodhur këtë vit.

"Për 3 ose 4 ditë do të bëhet furnizimi nëpër terrene. Vonesat janë bërë për shkak se ne kemi pasur një problem paraprakisht me insulinë, ku janë gjetur me banderola të Serbisë, dhe ajo ka shkaktuar probleme në vonesa", thekson Shabani.

Sidoqoftë zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu ka bërë të ditur se sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale, institucioni në fjalë vazhdon të ketë probleme.

Sipas tij, që nga paslufta asnjëherë nuk është arritur të përmbushet lista esenciale, për shkak të buxhetit të limituar që ka Ministria e Shëndetësisë dhe procedurave të tjera.

"Për 6 mujorin e parë të këtij viti nga raportet që kemi marrë nga barnatorja qendrore furnizimi me barna ka qenë 39 për qind me sitostatikë, 31 për qind dhe material shpenzues 25 për qind. Natyrisht kjo përqindje mund të lëviz pasi që është në procedurë të furnizimit nga Ministria e Shëndetësisë. Presim që të ketë në javët në vijim përmirësime, është shprehur", thekson Fazliu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG