Ndërlidhjet

Insulina me banderola të Serbisë, në institucionet shëndetësore kosovare


Insulina me banderolë të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Serbisë.
Insulina me banderolë të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Serbisë.
Në disa institucione publike shëndetësore në Kosovë janë futur në mënyrë të pashpjeguar ilaçe të llojit nsulinë, me banderola të Republikës së Serbisë, gjegjësisht të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Serbisë.

Një gjë të tillë e thotë udhëheqësi i Federatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

"Ky (ilaç) është i paverifikuar dhe është insulinë. Nëse dikë dua ta mbys me 40 gramë insulinë, unë mund ta mbys. Andaj ky bar duhet të kontrollohet nga shteti, sepse është ilaç shumë specifik".

"Kjo është skandaloze. Problemi është se si ka hyrë kjo në institucione publike. Është gjetur në gjithë Kosovën nëpër institucione publike shëndetësore
", thotë Syla.

Ai kërkon nga organet kompetente që kjo të hulumtohet, meqë është me rrezikshmëri të madhe për pacientët kosovarë, të futet një lloj ilaçi i tillë i pakontrolluar.



"Unë kërkoj nga organet kompetente që të hulumtohet deri në pikën e fundit se kush e ka bërë këtë punë. Unë nuk kam informata se kush e ka sjellë, por kam informata që ato gjenden në institucionet shëndetësore publike. Mua më ka ardhur mostra nga vetë institucionet shëndetësore", deklaron Syla.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së sekretarit Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, thotë se ministria në fjalë është në dijeni për këtë lloj ilaçi, por, sipas tij, gjatë inspektimit në disa qendra mjekësore, ky ilaç është gjetur me dy banderola.

"Ne e kemi kërkuar nga inspektorati farmaceutik të dalë dhe të shikojë. Në disa institucione ka qenë me dy banderola, me atë të Kosovës dhe atë të Serbisë. Andaj ne jemi duke pritur raportin nga auditori i Brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë", sqaron Shabani.

Por, Shabani thotë se ende nuk di se për çfarë lloj insuline bëhet fjalë dhe cila mund të jetë shkalla e rrezikshmërisë, meqë ka hyrë në institucione shëndetësore e pakontrolluar.

"Po ende nuk është konfirmuar çfarë lloj insuline është dhe çka përmban, dhe deri të dalim me raport, nuk di çka të them, por kam informata dhe na kanë lajmëruar se ajo tashmë gjendet në institucione me banderola të Serbisë", pohon Shabani.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Avdullah Hoti, bën të ditur se në qendrën që ai udhëheq, nuk kanë marrë insulinë të dyshimtë, apo me banderola të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Serbisë, derisa nuk e mohon se në qendra të tjera shëndetësore tashmë kjo insulinë po qarkullon.

"Jo, te ne nuk ka pasur, fatmirësisht. Kanë ardhur me banderola normale. Jam i informuar se ka në Skënderaj, Gjakovë, Ferizaj. E për sa janë të rrezikshme, nuk e di, sepse nuk jam ekspert i kësaj fushe", thekson Hoti.

Insulina përdoret te pacientët që vuajnë nga diabeti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG