Ndërlidhjet

Barnat pa udhëzime në gjuhën shqipe


Ilustrim
Ilustrim
Për të mësuar përdorimin, dozimin apo edhe efektet anësore të një ilaçi, në disa raste pacientët janë të detyruar të kërkojnë ndihmën e ndonjë familjari që njeh gjuhën, e cila përdoret në udhëzimin e atij ilaçi.

Kjo si pasojë e asaj se në tregun farmaceutik në Kosovë ende ka barna, të cilat nuk përmbajnë udhëzimin në gjuhën shqipe.

Jeta Morina, qytetare jep mendimin e saj rreth mungesës së përshkrimit në gjuhën shqipe në fletë-udhëzimin e barnave:

“Është jashtëzakonisht e vështirë kur blejmë barna dhe ato nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe, nga që unë jam e re dhe nuk marr vesh nga kjo lëmi dhe gjithmonë do të na duhet dikush më i vjetër që të na përkthejë, ndoshta më i vjetër, sidomos për gjuhën serbo-kroate”.

Farmacistët në vend thonë se nëpër barnatore vazhdon të ketë barna që nuk kanë udhëzime shqip, andaj farmacistët zakonisht u tregojnë pacientëve lidhur me përdorimin e llojit të caktuar të barit.

“Në barnatoret e Kosovës ekzistojnë barna që kanë udhëzime në gjuhën shqipe, por ka edhe të tilla të cilat nuk kanë udhëzime në gjuhën shqipe. Pacientët mund të kërkojnë nga farmacisti që t’u shpjegojë, udhëzimin për përdorim, apo edhe efektet anësore. Pra, kjo çështje nuk është e zgjidhur ende në Kosovë, për të gjitha preparatet farmaceutike”, thotë Fatmire Spahiu, farmaciste.

Ndërkaq, Ilir Dushi, kryeshef i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, thtoë se kjo ndodh kryesisht me barnat, të cilat nuk kanë treg të madh në Kosovë, meqë prodhuesi nuk e sheh të arsyeshme që për një seri të vogël paketimesh të shtypë udhëzimin edhe në gjuhën shqipe. Por, me udhëzimet e reja për farmacinë, kjo çështje do të zgjidhet.

“Ekziston baza ligjore që të gjitha barnat që qarkullojnë në tregun e Kosovës të kenë pjesën e udhëzimit në gjuhën shqipe për pacientë. Me këtë problem është marrë vazhdimisht AKPM-ja. Dhe tani, një pjesë e madhe e kanë udhëzimin, por barnat që shiten deri në 10 mijë kuti, nuk kanë. Është bërë rregullimi edhe i kësaj çështjeje me udhëzim administrativ”.

“Do të fillojmë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, që çdo produkt do të ketë përkthimin, nëse jo brenda kutisë së ilaçit, atëherë jashtë saj me një tiketë në gjuhën shqipe, si për shembull nëpër infuzione, aty ku nuk ka kuti, do të ngjitet jashtë saj një përshkrim në gjuhën shqipe”, bën të ditur Dushi.

Sidoqoftë , në Kosovë ka raste kur nëpër barnatore nuk ka fare farmacist, derisa pacientëve u mbetet të kërkojnë ndihmë për shpjegim te personat që e njohin gjuhën në të cilën është dhënë përshkrimi brenda barnave, varësisht nga cili vend importohet ajo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG