Ndërlidhjet

Rreziku nga transportimi i barnave


Fotografi ilustuese
Fotografi ilustuese
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më 24 gusht 2012 se Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale.

Klinikave iu mungojnë ilaçet bazë edhe për pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore urgjente. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, pothuajse të gjithë pacientët duhet t’i sigurojnë vetë barnat.

Pos tjerash, ky problem tash vë në pah një segment tjetër shqetësues; atë të bartjes së ilaçeve nga vendi ku blihen deri te klinika përkatëse, në temperatura jo adekuate, gjë që zvogëlon veprimin terapeutik të ilaçit.

Haki Ejupi, zyrtar në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosrespektimi i transportit të ilaçeve, krijon mundësi në denatyralizimin e tij.

Në secilin paketim të ilaçit shkruajnë edhe kushtet e ruajtjes, dhe është e obligueshme, sidomos zinxhiri i ftoftë i ruajtjes së transportit, ai nuk guxon të dalë nga kontrolli, sepse bëhet denatyralizimi”.

Sipas tij, në disa barna, që iu shkruan në paketim temperatura e ruajtjes nga 2 deri në 8 gradë, duhet patjetër të respektohet ajo temperaturë.

Kujdes të veçantë duhet të ketë te barnat termolabile. Te këto assesi nuk guxon të bëhet eskalimi i mundësisë që të hiqet nga temperatura e paraparë e ruajtjes, sidomos ato që kanë të paraparë ruajtjen nga 2 deri 8 gradë”, bën të ditur Ejupi.

Time Kadriaj, nga komisioni për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thekson për Radion Evropa e Lirë, se sistemi shëndetësor po përballet me mungesë të theksuar të barnave të listës esenciale.

Edhe zonja Kadriaj thotë se barnat të cilat transportohen në temperatura adekuate, mund të mos kenë efektin e duhur.

Përpos që në këtë rast dëmtohet xhepi i pacientit, në këtë kohë të nxehtë, një kategori e barnave mund të jetë edhe e dëmshme për shkak se mundësia e prishjes së barnave nga transporti në kushte jo adekuate është e mundshme. Në vend se ta përmirësojë gjendjen, kjo mund të shkaktojë indikacione të ndryshme”.

Ne e kemi diskutuar këtë temë, dhe mundësinë e furnizimit të institucioneve shëndetësore me barna nga lista esenciale, në mënyrë që të mos ketë nevojë të blihen ato barna. Por, edhe kur furnizohen, kjo nuk është zgjidhje, pasi që edhe nëse furnizohen, kjo po është një zgjidhje momentale, derisa në vazhdim po shkon me të vjetrën, me mungesa të theksuara”, shprehet Kadriaj.

Ndërkaq, Ardita Baraku, kryeinspektore në Ministrinë e Shëndetësisë, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se gjatë inspektimit në institucione shëndetësore, më shumë merren me atë se sa ka barna nga lista esenciale, derisa shton se ankesa për mosefekt të ilaçeve te pacientët për shkak të transportit të tyre, nuk kanë pasur asnjëherë.

Ankesë nuk kemi pasur për punë të kualitetit të ilaçit, përndryshe gjatë inspektimeve bisedohet me menaxherët se si qëndron situata me barna esenciale, edhe përgjigja është se është më mirë se që ka qenë, por që ka mungesa të barnave”.

Në anën tjetër Shqiptar Demaçi, kirurg torakal në QKUK, thotë se ilaçi mund ta humbas veprimin nëse nuk ruhet ashtu siç është paraparë.

Andaj, sipas tij, edhe ka pasur raste kur e ka humbur efektin te pacienti.

Secili ilaç e ka afatin e qëndrueshmërisë dhe ka temperaturën që duhet të ruhet. Natyrisht që ilaçi mund ta humbas veprimin nëse nuk ruhet ashtu siç është paraparë. Temperaturat e larta mund ta zvogëlojnë veprimin terapeutik të ilaçit. Ka raste kur nuk ka efekt te pacienti”, deklaron zoti Demaçi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG