Ndërlidhjet

Shumë viruse, e pak barna


Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në Qendrën Klinike Universitare është në rritje. Kjo si pasojë e virusit sezonal.

Brenda ditës vetëm në klinikën infektive, shërbime spitalore marrin rreth 20 persona.

Shemsedin Dreshaj, drejtor i klinikës infektive i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo virozë karakterizohet me vjellje, diare si dhe temperaturë të lartë.

"Kemi një incidencë të rritur të pacientëve që kërkojnë ndihmë për shkak të të vjellave, barkqitjes dhe temperaturës. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm. Brenda 24 orëve kërkojnë ndihmë më shumë se 20 pacientë në klinikën tonë. Kjo virozë karakterizohet me sezonën", thotë Dreshaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe në emergjencën pediatrike dhe klinikën pediatrike, numri i fëmijëve me të vjella, barkqitje e temperaturë të lartë që po trajtohen kohëve të fundit ka shënuar rritje.

Sipas drejtorit të kësaj klinike, Muharrem Avdiu, nga ky virus preken pothuajse të gjitha grupmoshat e fëmijëve, e veçmas ata deri në pesë vjet.

"Në rrethanat e temperaturave të larta, numri i rasteve në emergjencën pediatrike është i shtuar. Në këto ditë po i trajtojnë deri në 20 raste gjatë ditës, derisa deri në 8 raste shtrihen në klinikë. Gjatë gushtit kemi pasur shumë raste me gastro entorokolite, të cilat e kanë rënduar punën e përgjithshme të klinikës së pediatrisë dhe kërkojnë angazhim të stafit", thotë Avdiu.

Por zoti Avdiu shton se në klinikën e pediatrisë u mungojnë barnat esenciale për trajtimin e fëmijëve. Ai thotë se edhe ilaçet për uljen e temperaturës mungojnë.

"Sa i përket terapisë, me infuzione jemi mirë te furnizuar, derisa tretjet kanë munguar një kohë, ku për orët e natës i kemi disa rezerva që të mos dalin njerëzit natën t'i blejnë. Natyrisht që nuk i kemi gjitha barnat dhe prindërit detyrohen t'i blejnë. Një shembull banal po e jap. Nuk kemi pasur ilaç për uljen e temperaturës", bën të ditur ai.

Por, zoti Dreshaj thotë se nuk ka vend për panik, meqë klinika infektive është në shërbim të plotë të pacientëve dhe ka cekur se është e furnizuar mirë me medikamente të nevojshme.

"Edhe viteve paraprake kemi pasur rritje të numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë. Nuk ka vend për panik, pasi tretjet që kemi nevojë t'i përdorim, jemi pajisur mirë nga Ministria e Shëndetësisë, kemi staf profesional të mjaftueshëm, dhe kemi shtretër të mjaftueshëm", shprehet Dreshaj.

Sidoqoftë, vetë drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi pati deklaruar se ky vit po ballafaqohet me mungesë barnash, dhe buxhet të ulët.

Ai pati thënë se se furnizimi me barna dhe material shpenzues ka qenë i paqëndrueshëm, derisa është përmbushur lista esenciale vetëm 39 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG