Ndërlidhjet

Mungesë barnash për të sëmurët me kancer


Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë zbuluar rreth 750 raste të reja të personave të prekur me kancer.

Në Institutin e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, brenda ditës ndihmë mjekësore kërkojnë 80 deri në 180 pacientë, përderisa 40 të tjerë janë duke kryer rrezatimin në shërbimin e radioterapisë.

Por, barnat që u duhen pacientëve për t'u trajtuar, shpeshherë mungojnë.

Behxhet Osmani, ushtrues detyre i drejtorit të këtij instituti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka mungesa të kohëpaskohshme të citostatikëve, barna këto me të cilat trajtohen pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit.

"Ka mungesa, por mundohemi me ato barna që i kemi, maksimalisht t'u dalim në ndihmë pacientëve që mos t'i blejnë ato. Ka pacientë që po i blejnë barnat, por ka edhe të tillë që ua gjejmë, meqë e bëjmë planifikimin barnave. Kohëve të fundit furnizimi ka rënë, por po presim të sjellin nga Ministria e Shëndetësisë", është shprehur Osmani.

E, pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit, thonë se gjatë trajtimit në Institutin Onkologjik, ka raste kur ka barna, por kryesisht barnat e shtrenjta vështirë gjenden brenda këtij instituti.

Njëri nga ta është Kastriot Hajdari, i cili është duke u trajtuar aty.

"Në kohën kur më është dashur një lloj i ilaçit i quajtur ‘’Sorafenip‘’ ka pasur. Mjekët më thanë se ke pasur fat, pasi që gjithmonë nuk ka. Problemi më i madh ka qenë te barnat e shtrenjta. Por, fatmirësisht unë nuk pata problem. Një herë më thanë nuk ka, pastaj kontrolluan edhe i gjetën. Por, mandej prapë nuk ka pasur më. Mjeku më tha që para një dite i kanë sjellë nga Ministria e Shëndetësisë, por janë shpenzuar", tregon Hajdari.

Institucionet publike shëndetësore prej pas luftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.

Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi.

Por, në kuadër të rritjes së efikasitetit të menaxhimit, siç thonë zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është bërë klasifikimi i listës në tri kategori: lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.

Lista vitale do të përmbushet 100 për qind dhe pacientët nuk do të vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barnat, për të cilave u varet jeta, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Mirëpo, aktualisht, lista vitale brenda Qendrës Klinike Universitare është e përmbushur me citostatikë vetëm 54 për qind, me barna 48 për qind dhe material shpenzues 21 për qind.

Këtë e thotë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

"Statistikat e fundit nga ana e barnatores qendrore flasin për një përqindje të ulët të furnizimit me barna dhe material shpenzues nga lista vitale. Barnatorja qendrore dhe Ministria e Shëndetësisë, është në kontakt të vazhdueshëm dhe kërkohet që në vazhdimësi të bëhet furnizimi".

"Presim që Ministria e Shëndetësisë të reagojë dhe të bëhet furnizimi. Me buxhetin aktual që ka Ministria, ne e dimë që është e pamundur të përmbushet lista esenciale, por presim që lista vitale të plotësohet dhe mos të ketë telashe në trajtimin e pacientëve", bën të ditur Fazliu.

Sidoqoftë, me gjithë buxhetin e limituar për barna që ka Ministria e Shëndetësisë, shpeshherë brenda këtij institucioni kanë ndodhur manipulime me barna, siç është blerja e tyre me çmim shumëfish më të shtrenjtë sesa vlera reale, e po ashtu edhe futja e ndonjë ilaçi shumë të shtrenjtë në listë esenciale, derisa nevoja e pacientëve për llojin e ilaçit të tillë, kanë qenë e vogël.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG