Interesim për punësim sezonal

Ilustrim


Autoritetet në Prishtinë kanë përfunduar përgatitjet për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë, pasi Kosova që nga viti 2004, ka të realizuar vetëm me këtë shtet marrëveshje për punësim sezonal.

Hafiz Leka, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bën të ditur se deri në fund të qershorit, rreth 118 studentë do të udhëtojnë për punësim sezonal në Gjermani.

Sipas tij, ka numër të madh të studentëve që interesohen për këtë projekt, por kriteret e autoriteteve gjermane janë të vështira për zbatim. Që nga koha e zbatimit të këtij projekti kanë përfituar 1600 studentë.

“Gjatë këtij viti kanë aplikuar rreth 300 studentë, prej tyre janë përzgjedhur 118 studentë, sepse kriteret janë shumë strikte. Studenti duhet të ketë statusin e studentit të një universiteti, qoftë privat, apo publik; duhet të njohë gjuhën gjermane, studenti nuk duhet të ketë ndonjë dosje kriminale apo dosje tjetër që ka rënë ndesh me ligjet gjermane, por ne nuk kemi pasur raste të tilla. Deri më tani ne nuk kemi pasur asnjë incident gjatë procesit të zhvillimit të këtij programi me Qeverinë”, bën të ditur Leka.

Studenti Amir Latifi thotë se pas përfundimit të këtij viti akademik, me dëshirë do të shkonte në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian për të punuar deri në muajin tetor.

“Nëse Kosova bën ndonjë marrëveshje si në vitet e mëhershme, siç thonë në vitet '80, për punësim sezonal, me dëshirë do të shkoja. Sipas marrëveshjes unë kisha punuar, kisha fituar disa mjete materiale dhe do të isha kthyer në Kosovë”, thotë Amiri.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se punësimi sezonal është i mirëseardhur për të gjithë banorët e aftë për punë.

Naim Gashi thotë se Kosova nuk është duke fituar nga punësimi sezonal që ofrojnë vendet e Bashkimit Evropian, sidomos në sektorin e bujqësisë.

“Shtete si Spanja, Italia, Franca dhe vende të tjera, punësojnë miliona punëtorë sezonalë brenda një viti. Unë mendoj se me krijimin e mundësisë së heqjes së vizave, kosovarët do të kenë një qasje më të lehtë në tregjet e punësimit sezonal në Bashkimin Evropian dhe kjo do të ndikonte sadopak në zbutjen e shkallës së lartë të papunësisë që ekziston në Kosovë”, shprehet Gashi.

Autoritetet kosovare, përveç me Gjermaninë, nuk kanë arritur asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal për qytetarët e Kosovës.

Arritja e marrëveshjeve të tilla, është proces i vështirë, thotë Hafiz Leka, pasi Kosova nuk është anëtare e BE-së.

“Është bërë një hap, edhe pse po kemi barriera ndër shtetërore, sepse Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Kosova ende nuk është nënshkruese e marrëveshjes për bashkëpunim, sa i përket fleksibilitetit të forcës së punës në Evropë. Mirëpo, tash për tash, mund të them se e kemi bërë një hap modest, të vogël në këtë drejtim”, thekson Leka.

Përveç pengesës që paraqet në këtë drejtim mosanëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, eksperti Naim Gashi konsideron se institucionet kosovare duhet të angazhohen më tepër në këtë proces.

"Sidomos, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet të shtojë përpjekjet e saj për të biseduar jo vetëm me qeveri të shteteve anëtare, por duhet shfrytëzuar edhe misionet diplomatike, ambasadate vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera në Kosovë, për të rritur numrin e punësimeve sezonale, që ndikon në uljen e shkallës së varfërisë dhe rritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës”, vlerëson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas regjistrimit, të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë.