Ndërlidhjet

Asnjë punësim sezonal jashtë Kosovës


Prishtinë...
Prishtinë...

Kosova nuk ka arritur të nënshkruajë asnjë marrëveshje me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për punësim sezonal.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë këtij viti nuk ka arritur që të ofrojë punësim sezonal jashtë vendit për asnjë qytetar të Kosovës.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, zyrtari për informim në këtë ministri, Musa Demiri.

Përveç projektit për punësim sezonal të studentëve të UP-së në Gjermani nuk ka ndonjë projekt tjetër të punësimit sezonal jashtë Kosovës, kurse përbrenda Kosovës ka filluar zbatimi i projektit ‘punët publike 2012’ projekt ky i Bankës Botërore i kryer përmes ministrisë së punës dhe komunave”, theksoi ai.

Kosova me Gjermanin kishte nënshkruar marrëveshje për punësim sezonal vite më parë dhe kjo marrëveshje është ende në fuqi.

Në Gjermani, sipas kësaj marrëveshje çdo vit punësohen 300 studentë nga Kosova.

Gjatë këtij viti zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kishin konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ministri Nenad Rashiq kishte negociuar më shumë vende të BE-së për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.

Kosova nuk është anëtare e BE-së dhe nuk njihet prej të gjitha shteteve të BE-së nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete me ndonjë shtet për këtë çështje. Ne nuk kemi të drejtë që të marrim pjesë në konkurrencën e punës së BE-së”, bën të ditur Musa Demiri.

Ndërkohë, në projektin “punët publike 2012”, që bëhet brenda Kosovës, sipas Musa Demirit pritet të punësohen një numër i konsiderueshëm i punëkërkuesve që janë të paraqitur në shërbimin e punësimit nëpër komuna.

Kosova, sipas hulumtimeve të bëra, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë.

Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.

Derisa shkalla e lartë e papunësisë është në këtë nivel të lartë, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se duhet bërë më shumë për rritjen e punësimit sezonal.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të punohet bashkërisht për arritjen e nënshkrimit të marrëveshje për punësim sezonal me vendet e BE-së.

Herën tjetër do të kërkoj që si partnerë të kyçemi edhe në negociatat për marrëveshjet për punësim sezonal më vendet e BE-së. Ndoshta do të ishin më frytdhënëse ato biseda nëse do të ishin të gjithë faktorët që kanë të bëjnë më këtë çështje”, thekson Arifi.

Ndryshe, në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.

Por, thuhet se ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG