Kuçi: Serbia, pishman për marrëveshjen

Protestat e serbëve në Beograd kundër marrëveshjes së 19 prillit, Thaçi - Daçiq.

Prishtina zyrtare ka fajësuar Beogradin për mosgatishmëri të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Dështimi i raundit të dytë të bisedimeve në Bruksel në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi- Daçiq, sipas kryesuesit të delegacionit nga Kosova, zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, erdhi si pasojë e obstruksioneve të palës serbe.

Kuçi ka thënë se te pala serbe vërehet edhe një lloj pendimi për marrëveshjen e arritur dhe tash Beogradi, ka thënë ai, po kërkon të hapë edhe tema tjera që nuk janë paraparë fare me marrëveshjen 15 pikëshe.

“Kemi hasur nga pala serbe një gatishmëri për t’i shtyrë gjërat. Do ta thosha ndoshta një pishmanllëk, nëse më lejohet ta them me fjalë popullore, për atë që e kanë nënshkruar deri më tani. Kemi edhe një tendencë që të diskutohet, të flitet për gjëra që nuk janë në marrëveshje apo e tejkalojnë kornizën e saj. Pala kosovare është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen pikë për pikë, por nuk jemi të gatshëm të bëjmë negociata të reja para se kjo marrëveshje të zbatohet”, ka thënë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë, po ashtu, se për planin zbatues të marrëveshjes, të cilin palëve u ka ofruar drejtori për zgjerim, Fernando Gentilini, delegacionet aktuale nuk po mund të merren vesh, andaj ai ka kërkuar që takimi i radhës të mbahet në nivel kryeministrash, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Përndryshe, Kuçi është shprehur më se i bindur se marrëveshja Thaçi - Daçiq e datës 19 prill, nuk ka alternativë dhe se ajo do të zbatohet, pavarësisht shtyrjeve të vazhdueshme, që, sipas tij, po i bën pala serbe.

Ai ka theksuar se, me apo pa marrëveshje, Kosova do të shtrijë sovranitetin e saj edhe në veri të vendit.

Hajredin Kuçi

“Është një marrëveshje ndërkombëtare, me garanci të forta nga BE-ja dhe shtetet tjera. Nuk ka rrezikim të saj, ne i besojmë BE-së, i besojmë SHBA-së. Nuk i kemi besuar Serbisë as kur e kemi arritur marrëveshjen. Zbatimi do të ndodhë dhe se vendosja e sovranitetit tonë në gjithë territorin nuk ka alternativë, me ose pa marrëveshje”, ka theksuar Kuçi.

Po në lidhje me bisedimet për planin e zbatimit, është deklaruar edhe përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Ai ka deklaruar se do të nevojitet durim, por ka tërhequr vërejtjen se palët nuk kanë edhe shumë kohë, duke rikujtuar se po afrohet data kur Bashkimi Evropian do të vendosë për të ardhmen e integrimeve evropiane për Serbinë dhe Kosovën.

Bashkimi Evropian pret që marrëveshja të fillojë të zbatohet para datës 25 qershor, kur Serbia pret datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE, kurse Kosova datën e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Kemi edhe pak kohë dhe shpresoj që të dyja palët do ta shfrytëzojnë këtë kohë të mbetur me mençuri. Jam optimist për arritjen e marrëveshjes për planin e zbatimit në të ardhmen e afërt. Jam optimist edhe për zbatimin e saj dhe se zbatimi duhet të ndodhë qysh para përfundimit të muajit qershor”, ka deklaruar Zhbogar.

Nga ana tjetër, shefi i EULEX-it, Berndt Borchard, ka thekuar se përgjegjësitë që do t'i ketë misioni i EULEX-i në procesin e zbatimit, do të përcaktohen në planin implementues të marrëveshjes.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë diskutuar në Bruksel në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes gjatë dy ditëve të kaluara, por nuk kanë arritur të dakordohen.

Andaj, tani pritet që shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, t’i ftojë kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, më 21 maj, në Bruksel, në përpjekje të marrjes së pëlqimit të tyre.

Përndryshe, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi është vlerësuar se nuk do të ketë efekte, nëse nuk miratohet edhe plani i zbatimit të saj.