Ndërlidhjet

Nuk arrihet marrëveshje për planin e zbatimit


Bruksel
Bruksel
As dita e dytë e takimit të ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk ka sjellë planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve të arritur më 19 prill ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Më vjen keq ta them se nuk kemi arritur që të kemi një plan të implementimit. Natyrisht, që janë ofruar drafte edhe me datën 26 prill nga zoti Gentilini edhe ditën e sotme. Ne më 26 prill kemi dhënë pajtueshmërinë tonë. Sot kemi pasur vërejtje në qasjen e integrimit të strukturave ilegale të sigurisë. Ne mendojmë se ato duhet të shkojnë përmes një procesi të konkursit, ndërsa pala serbe ka qasje tjetër”, iu ka thënë Kuçi gazetarëve.

Ai ka theksuar se pala serbe dëshiron që nga “kjo marrëveshje të arrijë një marrëvshje tjetër, apo ndryshe ta them të flasin për çështjet që nuk janë fare në marrëveshje”.

Zëvendësshefi i Qeverisë së Kosovës, që ka udhëhequr delegacionin kosovar, Hajredin Kuçi, e ka komentuar këtë si një humbje kohe dhe dhënie e përshtypjes se po diskutohet për gjëra të tilla para partnerëve ndërkombëtarë.

Andaj, ai ka propozuar që takimi i radhës të jetë në nivel kryeministrash.

“Jemi të interesuar që të diskutojmë për çështje konkrete, për zbatim të asaj që është arritur më 19 prill dhe besoj se një veprim i tillë tani duhet të kalojë në nivel të kryeministrave dhe zonjës Ashton”, është shprehur Kuçi, duke sqaruar se takimi i tillë mbase do të mbahet më 21 maj.

Por, pala serbe ka akuzuar delegacionin kosovar se ka lëshuar takimin. Marko Gjuriq, këshilltar politik i presidentit serb, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se delegacioni serb, që ai e kryeson, ka pasur frymë konstruktive dhe ka pasur propozime konkrete.

“Delegacioni shqiptar i ka lëshuar bisedimet dhe më nuk do të marrin pjesë në këto bisedime. Do ta them publikisht atë që ua kemi thënë edhe direkt: i thërras që të kthehen në tryezën e bisedimeve, nuk ka vend dhe kohë më të mirë për të zgjidhur problemet tona, nuk ka rrethana më të mira për të hartuar planin e zbatimit, i cili do të jetë në interes të të dyja palëve. Dëshirojmë që kjo të kuptohet në Prishtinë dhe ky dialog të vazhdojë, pasi që është i një rëndësie të madhe për të dyja palët”, tha Gjuriq.

Por, i pyetur të komentojë propozimet e palës serbe që të hapen temat si çështjet si pozita e Kishës Ortodokse, kushtet pë rintegrimin e bashkësisë serbe në institucionet qendrore dhe çështja e pasurisë, Hajredin Kuçi ka thënë.

“Nuk kemi mandat për një gjë të tillë, nuk është çështje që duhet ta debatojmë. Unë si në shaka kam thënë, por edhe seriozisht se atëherë po flasim për Luginën e Preshevës , për gjenocidin e Serbisë, për kohën e Millosheviqit, dëmet e luftës, pastaj duhet të flasim për energjetikën, telekomunikacionin dhe të pagjeturit, dhe jo për tema që janë mbyllur dhe hapja e tyre hap telashe dhe nuk ka arsye që të jenë temë e përbashkët me Serbinë”.

Për këtë arsye, Kuçi ka theksuar se dialogu duhet të kalojë në nivel kryeministrash.

“Duhet të kalojë në nivel të kryeministrave, sepse pala serbe po vjen që të humbasë kohë. Ka tri javë që është nënshkruar marrëveshja dhe nga atëherë nuk ka ndryshuar asgjë pos fjalorit politik. Ne duam ndryshime në terren. Unë do të propozoj që takimi tjetër të jetë në nivel kryeministrash dhe pritet të jetë më datën 21”, ka theksuar Kuçi.

Nëpërmjet një komunikate, qeveria e Kosovës ka reaguar duke thënë mes tjerash se "pala serbe ka pasur qëndrim për diskutim të temave jashtë marrëveshjes apo interpretim tjetër nga përmbajtja e marrëveshjes".

Një ditë më parë, Marko Gjuriq nga pala serbe akuzoi delegacionin e Kosovës për mungesë fleksibiliteti.

Ndërkohë, diplomatët e shteteve anëtare të BE-së, kanë tërhequr vërejtjen se pa një plan të zbatimit të marrëveshjes dhe pa fillimin e zbatimit të saj, do të jetë shumë vështirë që shtetet anëtare të BE-së, në samitin e qershorit, të marrin një vendim pozitiv për t’i dhënë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin.

Por, burime të BE-së kanë thënë se zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë.

Pala kosovare, kohë më parë ka bërë të ditur se pret që të arrihet një pajtim për planin e zbatimit të marrëveshjes, dhe ai plan, së bashku me marrëveshjen, do të duhej të nënshkruhej nga të dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, si dhe baronesha Catherine Ashton.(a.isufi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG