Marrëveshja, sprovë për të dyja palët

Pamje nga Mitrovica...

Pasi që Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën me të cilën mbështet marrëveshjen e arritur në dialogun me Serbinë, analistët politikë në Prishtinë, kanë mendime të ndryshme sa i takon asaj se kush ka fituar apo edhe humbur nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, në një periudhë jo shumë të largët do të japë efekte negative jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.

Kështu thotë Shpend Kursani, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave.

Ai, megjithatë thotë se shteti serb fitoi shumë nga dialogu.

“Me ketë marrëveshje Serbia e fiton datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Dhe fitorja e dytë është se ka pasur një fitore jashtë territorit të saj. Pra në veriun e Kosovës, ku pak a shumë është formalizuar status - quoja, ashtu siç ka dashur Serbia, jo 100% siç ka dashur, sepse Serbia do të donte ta kthente gjithë Kosovës nën Serbi".

"Mirëpo ajo ka siguruar që komunitetit të vetë në veri t'ia sigurojë një autonomi shumë të thellë, ku Serbia do të ketë më shumë sovranitet, e Kosova shumë pak”, thotë Kursani për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, analisti tjetër Ismail Hasani, konsideron se as Prishtina, e as Beogradi, nuk mund të thuhet se kanë fituar, pas që marrëveshja e arritur nënkupton hapjen e rrugës për integrime evropiane për të dyja vendet.

“Të dy shtetet aspirojnë në integrime evropiane. Normalisht, që këto dy shtet janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare".

"Dihet se Kosova është shumë më mbrapa në raport me Serbinë, por megjithatë është edhe një mundësi e cila fasilitohet nga zyra e baroneshës Ashton, dhe në ketë kontest duhet të lexohet si një rast i mirë që i jepet këtyre dy shteteve për ta provuar gatishmërinë për integrime në BE”
, thekson Hasani.

Kursani thotë se sa i takon anës shqiptare, Kosova ka humbur shumë me marrëveshjen e arritur më 19 prill në Bruksel.

“Mendoj se Kosova ka humbur shumë pasi që kjo marrëveshje e rrezikon funksionimin e brendshëm të Kosovës, e ndan atë në dy entitete, një serbe e një shqiptare, pra, e bën pak a shumë si Bosnja. Kosova do të ketë problem me këtë zgjedhje pak më vonë”, shprehet Kursani.

Arritja e marrëveshjes konsiderohet se është vetëm fillimi, pasi që zbatimi i saj mendohet se do të jetë shumë sfidues.

Analisti Hasani thotë se tash është e rëndësishëm që të nisë zbatimi i marrëveshjes dhe të respektohet ajo nga të dyja palët.

Momenti më i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është që në të ardhmen shumë të afërt është krijimi i mundësive për fillimin urgjentisht të implementimit të marrëveshjes. Megjithatë, përvoja e deritashme ka treguar se nuk është e lehtë që me palën serbe të inplementosh diçka që paraprakisht je dakorduar”, thotë Hasani.

Marrëveshja e cila parashikon krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në veri, është arritur pas disa raundesh të bisedimeve që synonin t'i hapnin rrugën përparimit të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Pas marrëveshjes dhe miratimit të saj nga ana e institucioneve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, kanë pasur reagime të ndryshme.