Ndërlidhjet

Shqiptarët të ndarë rreth marrëveshjes - serbët e kundërshtojnë


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Marrëveshja e arritur më 19 prill në Brukseli, ndërmjet dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nga qytetarët në Kosovë, shqiptarë dhe serbë, është pritur dhe po komentohet në mënyra të ndryshme.

Qytetarët shqiptarë, janë të ndarë në mendime dhe përderisa një pjesë e tyre e vlerësojnë si arritje pozitive këtë marrëveshje, disa të tjerë janë mjaft skeptikë lidhur me të.



Tefik Berisha e cilëson si datë historike arritjen e marrëveshjes, e cila, sipas tij, e sqaron situatën sa i përket veriut të Kosovës.

“Për mua është pozitive dhe datë historike. Një arritje e madhe. Tash, rrugët janë më të qarta. Dihet se policia do të jetë atje, kemi për t’i kontrolluar kufijtë, gjyqësia e jonë ka për të punuar... sipas tyre, siç po thonë. Ata, të cilët kanë qenë kontrabandistë, që kanë bërë malverzime, sigurisht që kanë për t’u larguar, sepse kanë për të ardhur zgjedhjet e reja. Kanë për të ardhur njerëzit që e pranojnë ligjin dhe këtë shtet”, thotë Tefiku.

Si pozitive e vlerëson marrëveshjen edhe Zelie Gllareva, ndonëse, sipas saj, mund të ketë edhe ngecje në zbatimin e saj:

“Unë mendoj se është pozitive në një aspekt, pasi që është një përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare dhe për këtë marrëveshje është filluar tash e një kohë të gjatë dhe nuk është bërë sot për nesër. Po besoj që ka për të qenë pozitive. Por, ndoshta do të ketë ngecje, pak dyshime rreth veriut, derisa të pajtohet populli në të dyja anët, por prapë se prapë e shoh se tash kanë filluar të ndryshojnë gjërat pozitivisht”.

Ndryshe, për disa qytetarë, esenca e marrëveshjes ende mbetet e dyshimtë, për shkak se sipas tyre, nuk është shpjeguar mirë.

Mustafë Ahmeti, thotë se informatat lidhur me marrëveshjen janë marrë vetëm nga mediat, ndërkohë që qytetarëve ende nuk u është shpjeguar domethënia e përpiktë e saj.

“Ajo që nuk kemi mundur të kuptojmë, janë detajet e marrëveshjes. Nëse është një marrëveshje, e cila e stabilizon dhe shtrin integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, atëherë mund të jetë pozitive. Por, nëse në detajet e saj shfaqen probleme rreth integritetit territorial, rreth funksionimit të shtetit, atëherë, me të vërtetë, është më mirë të mos jetë fare një marrëveshje se sa një marrëveshje e keqe”, shprehet Mustafa.

Por, Limane Hajdari shpreh mendimin se marrëveshja nuk do të jetë e suksesshme:

“E di që është arritur marrëveshja, por kjo s’është kurrfarë marrëveshje. Nuk ka për të pasur sukses. Si çdo herë, Serbia përsëri ka për t’i kthyer. Në kufij përsëri do të ketë ndalesa nga 7 ose 10 orë. Përsëri do t’i bëjë ato të vetat, siç i kanë bërë çdo herë”.

Fatmir Makolli vlerëson se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë e domosdoshme për të qartësuar situatën në veri të vendit, por, sipas tij, marrëveshja që është arritur më 19 prill, është e dyshimtë se mund të jetë e favorshme për Kosovën:

“Unë po dyshoj. Të gjitha komentet që i dëgjova - edhe lajmet, deklaratën e kryeministrit – të gjithë ata po flasin për kohën e tashme, se u bë një marrëveshje, u arrit diçka, po pretendojmë kah Bashkimi Evropian, po na hapen dyert për integrime evropiane. Por, çka do të ndodhë në të ardhmen? Këtë nuk po e mendon askush. Unë, me sa e pashë, me anën e kësaj marrëveshje, iu hap Serbisë apo asaj pjese të veriut, që në të ardhmen të pretendojë që të bëhet një republikë në kuadër të Kosovës, ashtu siç na ka ndodhur neve që nga viti 1981 e deri më 1999 ose 2000, kur u çliruam”.

Në anën tjetër, qytetarët serbë të veriut të Kosovës, e shohin si tejet të dëmshme për interesat e tyre marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Thaçi, dhe kryeministrit serb Daçiq.

Jovan Popoviq thotë se marrëveshja është krejtësisht e pafavorshme për serbët dhe i akuzon autoritetet e Beogradit për tradhti.

“Nga Qeveria e jonë është gjithçka e mundshme. Ata kanë tradhtuar gjithçka. Kanë tradhtuar besimin dhe do ta tradhtojnë edhe Kosovën dhe kështu do ta shesin copë- copë, thuajse t’ua ketë lënë dikush atyre në pronësi”, thotë Jovan Popoviq.

Boban Jovanoviq vlerëson se marrëveshja është një çmim i lartë për Serbinë.

“Nëse kjo po bëhet për të arritur kushtet për të marrë kandidaturën për hyrje në Bashkimin Evropian, atëherë ky është një çmim shumë i lartë për Serbinë”, thekson Boban Jovanoviq.

Ndërkaq, Milosh Ristiq e vlerëson marrëveshjen si të dëmshme dhe si të pamundshme për t’u realizuar:

“Është e pamundur që kjo të ndodhë në këtë situatë, aktualisht tash, për shkak se ndaj nesh, ata (shqiptarët) janë ende pa ndonjë qasje dhe nuk janë për ndonjë bashkëpunim me ne. Në këtë rast, në momentin që e ke fqinjin që nuk dëshiron të bashkëpunojë me ty, atëherë ai as që të nevojitet. Në situatën e tashme, unë shoh që ende nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë”.

Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, ende pa u arritur marrëveshja, patën paralajmëruar se nuk do të pranojnë çfarëdo marrëveshje që arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG