Ndërlidhjet

Mirëpritet dhe kritikohet marrëveshja


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Në rrafshin ndërkombëtar dhe nga institucionet qendrore në Kosovë, marrëveshja e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është cilësuar si arritje historike.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mirëpriti marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Presidentja Jahjaga vlerëson se marrëveshja e arritur ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm si dhe relakson raportet ndërmjet dy vendeve tona, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e Kabinetit për informim të presidentes.

Por, përfaqësuesit e partive politike në opozitë në Kosovë kanë mendime më ndryshe.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratik të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se edhe pse nuk është shumë në dijeni për detajet e marrëveshjes, konsideron se ajo është një e arritur.

“Është hap i madh, i cili në kornizën evropiane ka arritur më i normalizuar, ky normalizim mbetet edhe më tutje në thonjëza. Ndërsa, normaliteti i plotë i marrëdhënieve për mua nënkupton atëherë kur bëhet njohja e kufijve nga ana e Serbisë në raport me Kosovën. Ajo që arrihet si konsum i brendshëm në Kosovës ka të bëjë me shpërbërjen e strukturave paralele, strukturave të sigurisë, ndërsa në aspektin ndërkombëtar, një proces më i sigurt dhe më i qartë i integrimeve evropiane”, tha Haziri.

Por, krejt ndryshe u shpreh Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai tha se me atë marrëveshje po betonohet një ndarje etnike e Kosovës.

“Ne jemi thellësisht të brengosur për atë çka është arritur, po duhet të them se nuk e kemi parë tekstin e marrëveshjes, sepse këto bisedime kanë qenë bisedimet më jotransparente që kemi parë ndonjëherë. Do të thotë edhe deputetët edhe qytetarët nuk kanë parë asnjë shkronjë nga tekstet e diskutuara. Mund të them se jemi të brengosur tërësisht për funksionalitetin e shtetit të Kosovës në të ardhmen dhe tashmë po betonohet një ndarje etnikë, do ta quaja, e Republikës së Kosovës”, u shpreh Ahmeti.

Delegacionet në Bruksel...
Delegacionet në Bruksel...
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mirëpriti arritjen e marrëveshjes. Marrëveshja e arritur në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, fillimisht krijon mundësi për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, theksoi Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve Kosovës- Serbi, do të krijojë paqe afat jatë në rajon dhe krijimin e marrëdhënieve stabile.

“Nëse implementohet saktë marrëveshja, do të ketë edhe mundësi për zhvillim ekonomik. Forcat politike duhet të jenë të përkushtuara drejt implementimit, ta ruajnë unitetin dhe të jenë të përkushtuara që ta vëzhgojnë edhe palën tjetër në impelementimin e marrëveshjes dhe i kërkojmë unionit evropian dhe SHBA-ve që të jenë të inkuadruar gjatë fazës së implementimit”, theksoi Gjini.

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, vlerësoi se kësaj radhe të dyja palët janë shprehur më të interesuara për të arritur marrëveshje, dhe ajo ndodhi. Sipas Rashitit ajo çka ka ndodhur të premten në Bruksel është vetëm një fillim drejt normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi.
Mund të kemi reagime të njëanshme nga serbët e veriut kundër Beogradit, por edhe kundër Prishtinës...

Rashiti tha se të dyja qeveritë, si ajo e Kosovës, po ashtu edhe ajo e Serbisë, duhet të kenë kujdes në fjalorin dhe sjelljet e tyre karshi banorëve të veriut të Kosovës.

“Atje emocionet janë shumë të larta, nervozizmi është shumë i madh. Mund të kemi reagime të njëanshme nga serbët e veriut kundër Beogradit, por edhe kundër Prishtinës dhe planet operative për implementimin e marrëveshjes duhet të koordinohen në mes të dy qeverive”, tha Rashiti.

Analisti Rashiti nga ICG-ja, u shpreh se çështja e ratifikimit të marrëveshjes nga ana e kuvendeve përkatëse, është imediate.

“Qeveritë duhet t’i kalojnë këto marrëveshje në parlamentet respektive, sepse vetëm kështu do të bëhen marrëveshje obligative. Për Serbinë, në veçanti, është e rëndësishme që të kemi ratifikim dhe miratim të saj në Parlament për të fashitur në një farë mënyrë reagimet dhe dallimet e mëdha që mund të vijnë nga pjesë të politikës në Serbi”, vlerësoi Rashiti.
XS
SM
MD
LG