Komisioni Parlamentar për Siguri: Veriu po lihet anash

Mitrovicë

Shpërthimet e shpeshta, ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, janë të orkestruara nga strukturat ilegale që Serbia ka në atë pjesë.

Këtë vlerësim e dha Komisioni Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme, pas analizimit të raportit që Ministria e Punëve të Brendshme i dërgoi për gjendjen në veri.

Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, tha të hënën se dokumenti që ka dërguar ministri Bajram Rexhepi, përshkruan sipërfaqësisht ngjarjet e dhunshme në këtë pjesë të Kosovës, të cilat, sipas tij kanë një motiv të qartë.

“Unë nuk duhet të hyj në çështjet e veçanta, por mund të them se është një përshkrim i ngjarjeve që kanë ndodhur, i incidenteve, të cilat kryesisht janë të nxitura për shkak të bisedimeve që po vazhdojnë, sepse në njërën anë e kemi një qasje gjoja pozitive, në bisedimet që po zhvillohen. Kurse, në anën tjetër, kemi sulme ndaj qytetarëve, ndaj pronës, shkelje të rendit dhe të ligjit, që e cenon integritetin territorial, e cenon ligjshmërinë në Kosovë, kushtetutshmërinë”, tha Isufi.

Raporti në fjalë, shkruan se situata e përgjithshme e sigurisë matanë lumit Ibër, është e tensionuar pasi" strukturat ilegale dhe grupet ekstremiste serbe po veprojnë në mënyrë të organizuar atje".

Por, ky cilësim dhe vlerësim i ministrit Bajram Rexhepi, nuk është se i pëlqeu zëvendëskryetarit të parë të komisionit parlamentar për siguri, Rexhep Selimit.

“Strukturat ilegale dhe grupet kriminale, zakonisht nuk e tensionojnë situatën, ashtu siç është vlerësuar, por ato bëjnë shkelje të sovranitetit të Kosovës. Dhe, kjo shkelje e sovranitetit të Kosovës, nuk do të duhej të konsiderohej me një term kaq të butë, siç është fjala tension”, u shpreh Selimi.

Raporti i Ministrisë së Brendshme më vete ka edhe kontradikta, meqë në njërën pjesë thotë se prejse ka nisur të zbatohet marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), në dy pikat kufitare, Jarinjë e Bërnjak, nuk ka incidente apo probleme të theksuara.

Goran Marinkoviq, zëvendëskryetari i dytë i komisionit parlamentar, thotë se raporti që dërgoi ministri Bajram Rexhepi, është shkruar me tendencë.
Raporti është shumë i thjeshtë dhe në disa segmente shumë tendencioz...

“Raporti është shumë i thjeshtë dhe në disa segmente shumë tendencioz. Kur flasim për raportin, aty shkruan se anëtarët janë të uniformuar dhe besohet se janë të armatosur. Unë besoj se njerëzit që jetojnë atje dhe përfaqësojnë institucionet, nëse vërtet i përfaqësojnë ato, janë të ulur në barrikada, por ende nuk kam parë asnjërin se mban uniformë dhe se janë të armatosur. Që sjell deri te përfundimi, se sa i përket uniformave, ato nuk shihen, kurse a janë apo jo të armatosur, mundemi vetëm të hamendësojmë”, theksoi Marinkoviq.

Dhjetëra shpërthime dhe incidente të tjera janë shënuar gjatë muajit të kaluar në veri. Shumica prej tyre besohet se ishin drejtuar kundër serbëve që në një formë apo tjetër, bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe i japin llogari Prishtinës në vend të Beogradit.

Ndryshe, anëtarët e Komisionit Parlamentar u pajtuan se gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, ka mundur të jetë më e mirë. Fatmir Xhelili theksoi se Ministria e Brendshme është dashur të insistojë te misioni i EULEX-it dhe KFOR-i që të shtojnë forcat në atë zonë, duke ditur se bisedimet Prishtinë-Beograd po hyjnë në një fazë delikate, të zhbërjes së strukturave ilegale atje.