Ndërlidhjet

Mitrovicë: Zhgënjim dhe pasiguri pesë vjet pas


Mitrovicë
Mitrovicë
Shqiptarëve të veriut të Mitrovicës nuk u ka mbetur vullnet që të festojnë pesë -vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Të paktën kështu thonë disa qytetarë shqiptarë të kësaj pjese të vendit.

Sadije Rama, thotë se është e zhgënjyer dhe e dëshpëruar me gjithçka që ka ndodhur në 14 vjetët e fundit, por edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Ajo më parë kishte jetuar në pjesën veriore të Mitrovicës, qytet ky, i cili që nga vitit 1999 është ndarë në pjesën veriore, ku popullatën shumicë e përbëjnë serbët dhe në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare.

Menjëherë, pas luftës, Sadije Rama, thotë se ka qenë e detyruar ta lëshojë shtëpinë e saj, në anën veriore të qytetit, për shkaqe të sigurisë dhe të kaloj në anën jugore. Sipas saj, këtë situatë e kanë përjetuar edhe shumë familje shqiptare.

Ajo jeton tash rreth 40 kilometra larg Mitrovicës, por e mban një dyqan të veshjeve, në lagjen shumetnike në veri të Mitrovicës, të quajtur "Lagja e Boshnjakëve".

"Ne të Mitrovicës jemi shumë të zhgënjyer, brenda pjesës veriore. As nuk na kanë dhënë ndihmë, as nuk janë interesuar për ne dhe asgjë... Në fytyrat e njerëzve mund të vëresh se çfarë brengash dhe çfarë kushte të jetës kanë... Nuk ka vullnet për jetë. Pa e pyetur fare mund ta vëresh. Unë jam shumë, shumë e zhgënjyer prej Qeverisë sonë, prej shtetit tonë... Për Zotin nuk më jetohet, sepse nuk po e di për çka po jetoj, a po jetoj për një shtet demokrat, një shtet të mirë apo për një shtet të hajnisë”, shprehet Sadija.

I zhgënjyer ndihet edhe Hysni Peci, nga fshati Zhazh në veri të Mitrovicës. Edhe ai e ka braktisur shtëpinë e tij për shkaqe të sigurisë dhe tashmë jeton në jug të qytetit:

Mitrovicë, shkurt 2013
Mitrovicë, shkurt 2013
“Mitrovicasit nuk kanë arsye të festojnë, sepse në pjesën veriore... e shihni edhe vetë, është katastrofë. Nuk di si mund ta festojnë ata. Do të thotë, pjesa veriore është e mbyllur, njëjtë sikur në luftë që ka qenë. Po të hysh në ‘Lagjen e Boshnjakëve’, ata nuk dinë asgjë as për lirinë”.

Ndryshe, qyteti i Mitrovicës më herët ka qenë i njohur për ngjarje kulturore të shumta, me Minierën e Trepçës, e cila ka punësuar më shumë se 20 mijë njerëz.

Por, Mitrovica sot reflekton depresivitet. Të rinjtë e shohin perspektivën e tyre eventuale në kryeqytetin e Kosovës, ndërkaq, atyre që u jepet mundësia për të dalë jashtë vendit, e bëjnë këtë pa u hamendur.

Një numër i madh i shqiptarëve, boshnjakëve dhe turqve, të cilët kanë jetuar në anën veriore të Mitrovicës, janë detyruar që të kalojnë në anën jugore, por edhe në qytetet tjera të Kosovës.

Ndërkaq, një numër i madh i serbëve nga vende të ndryshme të Kosovës, pas luftës janë vendosur në veriun e Mitrovicës.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë, sipas qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës, gjendja nuk ka ndryshuar me asgjë.

Një qytetar, me emrin Ibrahim, për çdo ditë shet fara në anën jugore të Mitrovicës. Ai thotë se pritjet e tij, pas shpalljes së pavarësisë kanë qenë të mëdha, por gjendja nuk ka ndryshuar fare, në aspektin e sigurisë e as në aspektin ekonomik dhe social.

"Unë i kam 44 vjet. Jo një ditë, por as një sekondë nuk kam qenë i punësuar, që ta kem ndonjë rrogë. I kam katër fëmijë, përmbi 20 vjeç dhe çfarë të presim? Në fakultet janë, por perspektivë nuk ka. Do të thotë të gjithë e mendojnë rrugën e migrimit. Ajo që është më e keqja”, thotë Ibrahimi.

Pamje nga Mitrovica (Foto nga arkivi)
Pamje nga Mitrovica (Foto nga arkivi)
Se jeta është e vështirë në Mitrovicë, këtë e pohojnë edh qytetarët serbë që jetojnë në veri të qytetit. Tanja Jakshiq thotë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumica e serbëve në veri, jetojnë në pasiguri:

"Ekziston ankthi për atë se çfarë do të ndodhë me ne dhe jetojmë çdo ditë me këtë ankth, sepse ne në veri nuk dëshirojmë që të jetojmë në Kosovën e pavarur. Në aspektin personal, ne nuk kemi probleme me fqinjët, por pjesa politike nuk na pëlqen. Pastaj, ka mjaft probleme edhe me papunësinë".

Nexhat Ugljanin, me përkatësi boshnjake jeton në "Lagjen e boshnjakëve" në veri të Mitrovicës. Ai thotë se nuk mund të festohet pavarësia e Kosovës aty ku nuk mbretëron rendi dhe ligji.

"Sa i përket festimit, boshnjakët nuk do të marrin pjesë aty, sepse nuk ka bazë për festimin e një pavarësie të tillë, jo të plotë. Këtu nuk e kemi ndjenjën e pavarësisë. Këtu ekziston ndjenja e frikës dhe e destabilizimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ekzistojnë vënie të mjeteve shpërthyese, të shtëna. Në një ambient të tillë jetojnë të gjitha bashkësitë në Mitrovicë, e sidomos në veriun e saj“, thekson Ugljanin.

Megjithatë, situata në Mitrovicë është shumë e rëndë sidomos për të rinjtë, të cilët të shumtën e kohës e kalojnë në kafene.

Azra, jeton në anën veriore të Mitrovicës, por punon në Prishtinë. Ajo çdo ditë e kalon urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila është e bllokuar me barrikada. Ajo thotë se i nënshtrohet rrezikut të mundshëm për çdo ditë që del nga shtëpia.

“Gjatë ditës, mund të thuhet se jetohet në mënyrë normale, por sapo të bjerë nata, sulmet janë më të shpeshta dhe frika është rritur te të gjithë qytetarët. Në Mitrovicë nuk ka perspektivë, nuk ka kinema dhe nuk ka kurrë farë argëtimi për të rinjtë. Nuk ekziston diçka, që të rinjve do t'u ofronte ndonjë pamje të mirë për të ardhmen, përveç se ka frikë, me të cilën jetojmë vazhdimisht. Perspektivë tjetër nuk ka. Nuk ka asgjë, në mënyrë absolute“, thekson Azra.

Mitrovica në përvjetorin e pestë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:21 0:00
XS
SM
MD
LG