Ndërlidhjet

Shpërthime të shpeshtuara në veri të Mitrovicës


Veri...
Veri...
Shqiptarët në pjesën veriore të Mitrovicës shprehin shqetësim për shpërthimet e vazhdueshme gjatë kohëve të fundit, dhe thirrin forcat e rendit që të shtojnë forcat në këtë zonë.

Thirrja e tyre vjen pas incidentit të së dielës mbrëma, ku pjesa veriore e Mitrovicës është tronditur nga një shpërthim në Lagjen e Boshnjakëve, ku jetojnë shqiptarë, serbë e boshnjakë.

Përfaqësuesi i kësaj lagjeje Florent Azemi, tha për Radion Evropa e Lirë, se incidentet e tilla po ngjallin frikë dhe panik në popullatë, pasi asnjë incident nuk po zbardhet.

Unë në atë kohë, kam qenë në shtëpi me familje. Edhe ka qenë një shpërthim shumë shqetësues, ka pasur një detonim jashtëzakonisht të madh, që është dëgjuar”, tha ai.

Të dielën mbrëma cak i sulmit ishte një serb, të cilit iu hodh një granatë dore në oborr.

Policia e Kosovës thotë të ketë pranuar informatën rreth orës 19 e 30, nga vet ankuesi, i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se fatmirësisht nuk ka të lënduar nga ky incident.

Policia ka dalë në vendngjarje, dhe pas vlerësimeve të para hetimore, ka vlerësuar se një granatë dore e tipit M-75, prodhim Jugosllav, besohet të jetë hedhur në këtë oborr. Ndërsa me rëndësi është që nuk ka të lënduar në njerëz,” tha ai.

Pronari i shtëpisë, ka njoftuar për dëme të vogla materiale, kryesisht të shkaktuara në xhamat e banesës.

Reagimi i parë për këtë incident ka ardhur nga Beogradi, ku zyra e tij për Kosovën, e ka cilësuar këtë sulm si “urim për ditën e Pavarësisë së Kosovës.”

Ndërsa përfaqësuesi i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve kërkon shtimin e forcave të rendit në vendbanimin e tyre.

EULEX-i, policia dhe KFOR-i janë për të ofruar siguri. Ne i dënojmë këto raste, dhe i bëjmë thirrje që të shtojnë masat e sigurisë dhe të ndriçojnë rastet,” tha Florent Azemi.

Zona matanë lumit Ibër në Mitrovicë, e banuar me shumicë serbe, ka qenë arenë e disa shpërthimeve gjatë ditëve e javëve të fundit.

Të shtunën pati shpërthim në rrugën Lole Ribara; para 10 ditësh është djegur një veturë e një serbi, 2 javë më parë është sulmuar furra e bukës së një shqiptari; sulm pati edhe te Tre Rrokaqiejt dhe në Lagjen e Boshnjakëve.

Për fat të mirë në asnjërin incident nuk ka pasur të lënduar përpos dëmeve materiale.

Ajo që është shqetësuese, gjithsesi janë rastet e tilla që vazhdojnë të përsëriten, dhe kohët e fundit kryesisht në veri të Mitrovicës,” tha Besim Hoti.

Policia vlerëson se shpërthimet e shpeshta kanë ngritur një dozë pasigurie në popullatë dhe shqetësim tek forcat e rendit, të cilat kanë arritur që të lidhin disa shpërthime, me motivin e njëjtë.

Mirëpo, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, ende nuk është gjet një lidhje për rastin e mbrëmshëm me shpërthimet e kaluara. Përveç se është përdor i njëjti mjet shpërthyes, granatë dore e prodhimit jugosllav.

Disa tjera më herët e kemi ndërtuar një motiv të mundshëm, për faktin se kanë qenë individ të punësuar në institucionet e Republikës së Kosovës, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, dhe kryesisht prona dhe pasuria e tyre ka qenë cak i sulmit. Ndërsa ky i fundit është i paqartë,” tha ai.

Një prej liderëve serb në veri, Radenko Nedelkoviq akuzoi të hënën Prishtinën zyrtare se jo qëndron prapa sulmit ndaj pronës së serbit në Lagjen e Boshnjakëve, që për qëllim ka frikësimin dhe përndjekjen e këtij komuniteti.

Ndërsa autoritetet në Prishtinë, kryesisht akuzojnë strukturat paralele serbe të sigurisë që veprojnë në veri të Mitrovicës për incidentet që ngjajnë atje.

Për këto institucione, shefat e qeverive në Kosovë e Serbi, do të diskutojnë gjatë takimit të tyre që pritet të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG