Ende shumë punë për liberalizim të vizave

Ilustrim

Institucionet kosovare edhe pse kanë miratuar ligje të shumta e strategji që kanë për synim përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, e në veçanti për çështjen e liberalizimit të vizave, para vetes kanë ende shumë sfida.

Kështu është thënë të hënën në një debat të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Megjithatë, nga Ministria e Integrimit thonë se në përgjithësi institucionet e vendit janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.

Koordinatori teknik për çështjen e liberalizimit të vizave në Ministrin e Integrimit, Besnik Vasolli, theksoi se Kosova është në rrugë të drejt kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.

Ka disa të arritura, ka edhe sfida të cilat mbeten për tu zbatuar, mirëpo me angazhim të konsiderueshme dhe më gjithë faktorët relevantë, jam i sigurt që do të arrijmë suksese edhe më të mira në muajt në vijim”, tha Vasolli.

Nga ana tjetër, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka prezantuar edhe një hulumtim të titulluar “Vlerësimi i implementimit të politikave të rendit publik dhe sigurisë në kontekstin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Në ketë hulumtimi thuhet se njëra ndër arsyet kryesore në pengimin e Kosovës drejt procesit të liberalizimit të vizave është edhe fakti që Kosova ndan një kufi me Serbinë.

Mentor Vrajolli, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se me anë të hulumtimit është bërë një analizë e punës se institucioneve në drejtim të përmbushjes së kritereve të nevojshme për liberalizim.

Vrajolli tha se në përgjithësi ka përparim në hartimin e ligjeve.

Sipas tij, përparime janë shënuar në ligjet për menaxhimin e integruar të kufijve, dhe ato që kanë të bëjnë me rendin publik.

Por, siç tha ai, përparime të mëdha nuk janë shënuar në fushat që kanë të bëjnë më luftimin e korrupsionit.

Në përgjithësi këtu kemi shqetësim e sa i takon implementimit të ligjeve, ndonëse ka pasur progres sa i përket masave preventive, do të thotë se janë krijuar disa mekanizma gjatë kësaj periudhe për luftimin e korrupsionit. Ajo që mendojmë se nuk është bërë sa duhet është kur kemi të bëjmë me luftimin e rasteve konkret të korrupsionit. Mendojmë që kjo fushë është ende fushë shqetësuese për institucionet e Kosovës”, tha Vrajolli.

Ndryshe, zyrtaret të institucioneve në Kosovë vazhdojnë të përsërisin se janë optimistë se qytetarët kosovarë gjatë vitit 2013, do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Shengen.

Por, ekspertët e integrimeve evropiane konsiderojnë se liberalizimi i vizave për kosovarët vështirë se mund të ndodhë gjatë vitit 2013.

Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova nuk është duke ecur me ritmin e duhur drejt liberalizimit të vizave.

Siç konsideron Muharremi, pa një zhvillim më të madh ekonomik, Kosova nuk mund t’i plotësojë kushtet drejt liberalizimi të vizave.

Ne nuk po ecim aq shpejt ashtu sa ka premtuar Qeveria e Kosovës në disa instanca. Edhe pa u fokusuar më shumë në zbatim të kushteve, në veçanti në investime e zhvillim ekonomik, ne nuk mund t’i plotësojmë kushtet për shkak të migrimit dhe gjithmonë do të kemi azil-kërkues shtesë".

"Është mirë që qeveria ta rikonsiderojë faktin për lehtësimin e vizave urgjentisht, në mënyrë që kosovarëve t’ua lehtësojë barrën e masave të marrjes së vizave, derisa të hyjmë në listën e bardhë, e si duket kjo nuk do të ndodhë shumë shpejtë”, tha Muharremi.

Kosova dhe qytetarët e saj thuhet se aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes.