Në veri, situatë konfuze dhe jashtë kontrollit

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Zhvillimet e fundit në veri janë karakterizuar me një varg incidentesh, përfshirë edhe atë të fundit në lagjen “Koi i Vitakut”, ku situata u tensionua pas kundërshtimeve të serbëve lokalë ndaj rindërtimit të shtëpive nga ana e shqiptarëve në atë lagje.

Të gjitha këto incidente tregojnë se situata në veri të vendit po del jashtë kontrollit, ndërkohë që ekzistojnë indikacione se Beogradit zyrtar po e humb ndikimin mbi grupet e caktuara serbe, të cilat janë të përfshira në incidente, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në vend.

Politologu Behlul Beqaj, e sheh situatën në veri të Kosovës si mjaft konfuze, e cila më tutje mund të zhvillohet në dy drejtime.

“Së fundmi, situata ka qenë konfuz dhe si duket, ata që kanë pasur ndikim ndaj disa strukturave, e kanë humbur ndikimin karshi strukturave, të cilat i kanë pasur deri vonë nën kontroll. Ose janë në një mision të ri të kërkimit të zgjidhjeve tjera, të cilat ndërkohë po paraqiten si mundësi alternative, meqë çështja është komplikuar dukshëm, për shkak të rezistencave të llojeve të ndryshme brenda strukturave në politikën e Serbisë”, thotë Beqaj.

Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED, vlerëson se zhvillimet e fundit në veri të vendit, tregojnë se aty e kanë humbur kontrollin mbi situatën, të gjithë faktorët relevantë.

“Askush, në fakt, nuk e kontrollon situatën, madje as Serbia e lëre më institucionet e Kosovës ose këto ndërkombëtare, qoftë EULEX-i, qoftë KFOR-i, por qoftë edhe UNMIK-u. Prandaj, ka grupe të tilla që janë jashtë çdo kontrolli, që ushtrojnë dhunë, që terrorizojnë të gjithë qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës”.

“Kjo situatë është toleruar për një kohë shumë të gjatë dhe tash është përshkallëzuar aq shumë, sa që kemi grupe, të cilat ndihen kaq të lira sa që t’i sulmojnë punëtorët, të ushtrojnë dhunë, sepse ndihen të paprekshëm dhe se nuk ka kush që mund t’i ndalojë
”, shprehet Arifaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë theksuar se kundërshtimet e këtyre të fundit ndaj ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në “Kroin e Vitakut” janë legjitime edhe për faktin se, siç kanë thënë ata, zyrtarët e UNMIK-ut kanë deklaruar se rindërtimi i këtyre shtëpive po bëhet pa lejen adekuate.

Hashim Thaçi

Por, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili e ka mbështetur rindërtimin e shtëpive në “Kroin e Vitakut”, ka theksuar se UNMIKU “nuk ka të drejtë as morale, as legale, as legjitime të pengojë apo të pretendojë të pengojë ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre”.

Politologu Beqaj vlerëson se UNMIK nuk ka vepruar si duhet as në kohën kur e ka pasur misionin e qartë. Sipas tij, UNMIK-u, tash kur e ka, siç e quan ai, një funksion anakronik, po përpiqet të veprojë sikurse në rolin e mëparshëm.

Beqaj thotë se ajo çfarë ka mbetur nga UNMIK-u, do të ishte mirë që të paraqitet sa më pak në rastet kur bëhet fjalë për veriun. Por, sipas tij, institucionet vendore janë të pafuqishme për të vendosur vetë lidhur me situatën në veri.

“Ndërhyrja e tyre (UNMIK-ut) aktuale, në vend që ta qetësojë situatën, atë po e bën më të komplikuar dhe më të brishtë në aspektin e sigurisë. Institucionet tona kanë qenë, janë dhe sipas të gjitha gjasave, do të mbeten peng të mendimeve, vlerësimeve dhe udhëzimeve ndërkombëtare. Ndërkaq, deklaratat që i japin zyrtarët e lartë të institucioneve tona, më tepër janë çështje të nevojave propagandistike të brendshme, se sa që janë vendime, të cilat kanë efektivitetin e tyre të plotë”, vlerëson Beqaj.

Analisti Arifaj nuk beson që zyrtarët e UNMIKU-t kanë biseduar me serbët e veriut lidhur me ndërtimet në “Kroin e Vitakut”, por, sipas tij, me ta kanë biseduar pjesëtarë të stafit vendorë që punojnë në UNMIK.

“Dyshoj që është fare çështje e UNMIK-ut. Më shumë mundet të jetë që dikush po e keqpërdor emrin e UNMIK-ut. Institucionet e Kosovës e kanë thënë edhe më herët se e dinë që nuk ka zgjidhje me dhunë për veriun. Pra, nuk kemi nevojë të frikohemi prej një përshkallëzimin të dhunës në veri. Megjithatë, duhet të insistohet dhe të kërkohet prej të gjitha komponentëve të sigurisë që të ruhet jeta e qytetarëve, siguria e tyre dhe të sigurohet stabilitet për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri”, thekson Arifaj.

Ndryshe, njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike, kanë vlerësuar se të gjitha komponentët e sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, duhet të angazhohen dhe të intervenojnë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës, sepse çdo dhunë eventuale në veri, është kërcënim potencial jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.