Ndërlidhjet

Lunacek: Veriu pjesë e dialogut, por, ndarje s’ka


Ulrike Lunacek
Ulrike Lunacek

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka thënë se veriu do të jetë pjesë e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuara nga BE. Por, në një intervistë për radion Evropa e Lirë, ajo ka përjashtuar ndarjen si opsion, dhe ka thënë se për këtë tashmë është dhënë një garanci nga Komisioni Evropian, që e ka vënë në strategjinë për Zgjerim formulimin “integriteti territorial i Kosovës”.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Lunacek, Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës Studimin e Fizibilitetit, përderisa, komisionari për zgjerim, Stefan Fule ka thënë se më nuk ka pengesa ligjore për Kosovën që ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asoccimit. A besoni ju se nuk ka më pengesa ligjore, duke marrë parasysh rastin e Kosovës, ku pesë vende të BE-së nuk e njohin atë si shtet dhe Serbia ende ka pretendime territoriale?

ULRIKE LUNACEK
Ajo që e ka thënë Komisioni ka qenë e qartë dhe jam e kënaqur që Komisioni ia dha Kosovës Studimin e Fizibilitetit dhe i dha dritën jeshile që të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Komisioni gjithashtu ka thënë se Kosova së pari duhet të përmbushë kriteret, që duhen për të filluar negociatat, por është bërë e qartë se Këshilli ka dhënë dritën jeshile për ta bërë Studimin e Fizibilitetit dhe me sa kuptoj unë, nuk do të duhej të kishte më pengesa ligjore për të ecur përpara.

Teksti i Komisionit është mesazh për Këshillin se tani është ligjore që Komisionin të ecë përpara(në këtë proces). Këtë e shoh si gjë shumë pozitive dhe mendoj se është sinjal i mirë për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet kriteret. Një nga to është sundimi i ligjit. Sa mendoni se ka bërë Kosova përparim dhe sa mund të zbatohet ky kusht me pjesën veriore të pakontrolluar të Kosovës?

ULRIKE LUNACEK
Ekzistojnë kritere të ndryshme për çështje të ndryshme. Sa i përket veriut, mendoj se ai do të shtrohet në tavolinë në dialogun mes Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së. Kryeministrja e BE-së, siç e quaj unë, zonja Catherine Ashton, tashmë marrë udhëheqjen në këtë çështje.

Është e qartë për BE-në, se kjo nuk ka të bëjë me ndarjen e Kosovës, veriu i Kosovës është pjesë e territorit të Kosovës por ekziston kërkesa për Serbinë, e cila duhet që të heqë dorë nga strukturat paralele të cilat i financon. Kjo nënkupton se natyrisht se Beogradi mund të japë para për strukturat arsimore e të shëndetësisë në veri, për serbët e Kosovës, por kjo duhet bërë në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim me qeverinë në Prishtinë.

Ky është kushti për Serbinë që të nisë negociatat për anëtarësim. Këtë duhet ta bëjë Serbia, si dhe gjithashtu ta zbatojë IBM-në, Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, që ka qenë pjesë e marrëveshjeve të pranverës së këtij viti dhe që së fundi u nënshkrua nga qeveria e re.

Pra, janë disa gjëra që Serbia duhet t’i bëjë për të nisur negociatat për anëtarësim.
Sa i përket Studimit të Fizibilitetit dhe MSA-së ekzistojnë kritere tjera që duhet të përmbushen. Por, edhe sa i përket dialogut…që ai të ketë sukses në normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, Qeveria e Kosovës duhet t’iu afrohet më shumë serbëve në veri siç ka bërë me serbët në jug.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pyetje tjetër për veriun. Mendoni se BE do të mbetet e përkushtuar për integritetin territorial të Kosovës, nëse merren parasysh këtu, disa pohime për nisjen e një dialogu politik për veriun?

ULRIKE LUNACEK
Po, sigurisht. Është pjesë e Studimit të Fizibilitetit. E ka të përfshirë formulimin “integriteti territorial” dhe kjo është e mrekullueshme. Me të vërtetë e vlerësoj këtë. Prandaj, sigurisht, se Bashkimi Evropian është shumë i përkushtuar për këtë. Nuk do të ketë më ndryshim kufijsh.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të vërtetë, kryeministri serb Ivica Daçiq, publikisht ka kërkuar ndarjen e Kosovës…?

ULRIKE LUNACEK
Po, por kjo nuk do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet më herët normalizimin e raporteve. Këtyre ditëve ka deklarata nga Serbia, që thonë se nëse u vihet kusht, do ta zgjedhin Kosovën dhe jo Bashkimin Evropian. Si e shihni ju këtë çështje?

ULRIKE LUNACEK
Nga ajo që unë kam dëgjuar dhe nga ajo që kam qenë pjesë e një delegacioni të vogël në Beograd në korrik, dhe nga delegacioni në të cilin nuk kam marrë pjesë, që ka qenë atje, para një a dy javësh, dhe unë do të shkoj në Beograd me një delegacion të Parlamentit Evropian në fund të tetorit, nga ajo që kam dëgjuar nga kolegët dhe nga ajo që kam dëgjuar vetë nga kryeministri Daçiq, nga presidenti Nikolliq dhe të tjerët, ata kanë bërë të qartë se janë në rrugë drejt BE-së, duan të zbatojnë të gjitha marrëveshjet, duan procesin integrues të BE-së.

Nuk kam dëgjuar nga ata as personalisht, as nga kolegët se duan ta ndryshojnë këtë rrugë. Shpresoj se do të qëndrojnë në këtë rrugë. Nëse thonë diçka tjetër në publik, unë dua të dëgjoj së pari nga ata vetë, në bisedimet që i kemi me ta.

Por, unë shpresoj se ata do të mbeten besnikë në bisedimet me Bashkimin Evropian, sepse e ardhmja e Serbisë është që të jetë pjesë e BE-së, dhe për një gjë të tillë është i përkushtuar edhe Bashkimi Evropian, ai dëshiron që Serbia të jetë pjesë e unionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa po flasim për Serbinë… këtyre ditëve disa shtete evropiane kanë shprehur shqetësimin për azilkërkuesit ilegalë nga Serbia dhe Maqedonia(duke paralajmëruar heqjen e regjimit të lirë të vizave). A do të preket Kosova në dialogun për liberalizim vizash?

ULRIKE LUNACEK
Aktualisht jo, sepse i përket Kosovës dhe qeverisë së saj që të zbatojë të gjitha ato që kërkohen me qëllim të dhënies së regjimit të lirë të vizave për qytetarët e Kosovës.
Por, natyrisht se kemi probleme në disa vende anëtare, sepse ka shumë qytetarë nga Serbia dhe Maqedonia që po kërkojnë azil.

Mendoj se qeveria në këto dy vende duhet t’ua bëjë shumë të qartë qytetarëve se udhëtimi pa viza nuk do të thotë se mund të kërkojnë azil. Ata duhet të punojnë që t’i japin më shumë të drejta minoriteteve, p.sh. komunitetit rom, sepse ky komunitet është pjesë e atyre që kërkojnë azil.

Përndryshe, nëse ky numër rritet edhe më shumë, atëherë disa shtete në BE do të duan që ta ndërpresin udhëtimin pa viza dhe unë jam fuqishëm kundër kësaj, sepse kjo i prek të gjthë qytetarët. Udhëtimi pa viza është thelbësore për njerëzit e sidomos në këto kohëra të vështira për BE-në.

Është e vetmja gjë pozitive që ka mbetur ende e lidhur me BE-në, dhe mendoj se do të ishte plotësisht kundërproduktive për besimin e qytetarëve në politikanët e BE-së, po që se një gjë e tillë ndryshon sërish.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG