Ndërlidhjet

Tensione te "Kroi i Vitakut"


Veri...
Veri...
Në lagjen "Kroi i Vitakut" në paraditen e së mërkurës, ka ndodhur një shpërthimi, nga i cili deri më tash nuk është raportuar se ka shkaktuar dëme.

Nazmi Ismaili, anëtari i Këshillit të Veriut, Këshill ky që mbledh përfaqësues të lagjeve të banuara me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, tha për Radion Evropa e Lirë, se shpërthimin e kanë dëgjuar edhe vetë banorët e kësaj lagjeje.

“Ishte një detonim, çfarë ishte nuk e dimë”, tha Ismaili

Ismaili ka treguar se menjëherë pasi është dëgjuar shpërthimi, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke vëzhguar situatën.

Policia e Kosovë e ka konfirmuar lajmin për shpërthimin.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, tha për Radion Evropa e Lirë se policia është duke hetuar rastin për të përcaktuar llojin e shpërthimit.

Besim Hoti
Besim Hoti
"Ne jemi ende në fazën e përcaktimit të llojit të mjetit shpërthyes. Fatmirësisht, nuk është raportuar për të lënduar, pasi që besohet se mjeti është hedhur në fushë të hapur në lagjen Kroi i Vitakut”, tha Hoti.

Ai tha se shpërthimi, i cili ka ndodhur në afërsi të shtëpive në këtë lagje, ka ngritur tensione dhe shqetësim te banorët e lagjes.

Sipas zëdhënësit Hoti, punëtorët që kanë qenë duke punuar në ndërtimin e shtëpive, nuk dihet ende se a do të nisin punët sot, për shkak të tensioneve.

Do të bëjmë një vlerësim të tërë situatës në mënyrë që të shohim për së afërmi nëse ekzistojnë kushtet që puna sot të vazhdojë apo të suspendohet përkohësisht; kjo mbetet të vlerësohet varësisht nga situata e krijuar në terren”, tha Hoti.

“Kroi i Vitakut”, në veri të Kosovës, dhe lagjet e tjera të banuara me popullatë të përzier janë përshkuar kohët e fundit me incidente.

Nga ana tjetër, "përkundër kërcënimeve dhe incidenteve që janë duke krijuar strukturat paralele serbe në veri, rindërtimi i shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në luftë nuk do të ndërpritet".

Kështu ka deklaruar sot kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, pas një takimi të jashtëzakonshëm të Komitetit të Sigurisë, të thirrur pas incidenteve të fundit në Kroin e Vitakut.

Zoti Kastrati, ka thënë se shtëpitë po rindërtohen për ata që kanë jetuar dhe kanë pronat në veri dhe jo për të tjerët.

Shumë qytetarë të veriut jetojnë nëpër strehimore kolektive në jug, andaj ne kemi për obligim t’u ndihmojmë që të kthehen në shtëpitë e tyre”, ka thënë Kastrati.

Në një komunikatë për media nga Komuna e Mitrovicës thuhet se “tensionimit të situatës janë duke i kontribuuar persona që në emër të UNMIK-ut në veri kërkojnë leje për rindërtim të shtëpive".

"Kjo është absurditet, meqë askund në botë nuk kërkohet leje për rindërtim të shtëpisë së djegur”, thuhet në komunikatën e komunës.

Shtëpitë e rindërtuara të shqiptarëve te Kroi i Vitakut kanë qenë cak i incidenteve edhe disa ditë më parë, kur njërës prej tyre i është vënë zjarri dhe është djegur nga persona ende të paidentifikuar nga organet e rendit.

Një ditë më parë, te po e njëjta lagje, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri ndërmjet banorëve shqiptarë dhe serbë.

Ndryshe, rastet e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm janë shpeshtuar kohët e fundit në veriun e Kosovës, ndërkohë që organet e rendit janë duke i hetuar motivet dhe autorët e mundshëm.

Autoritetet komunale në Mitrovicë kanë kërkuar në vazhdimësi shtim të masave të sigurisë, meqë siç thonë ata situata mund të eskalojë në çdo moment.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG