Sa ka humbje në veri?

Fotografi ilustruese

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet burimi kryesor i ekonomisë së paligjshme. Sipas autoriteteve kompetente, mbi 30 milionë euro në vit humb buxheti i Kosovës, vetëm nga ajo pjesë. Por, njohës të çështjeve ekonomike, theksojnë se kjo shumë arrin mbi 100 milionë euro.


Mbi 30 milionë euro në vit, humb buxheti i Kosovës nga moskontrollimi i dy pikave kufitare në veri të Kosovës, të quajtur Porta 1 dhe 31, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës.

Në anën tjetër, njohës të rrethanave ekonomike, vlerësojnë se kjo shumë është trefish më e lartë. Aleanca Kosovare e Biznesit që nga viti 2007, për çdo vit, është marrë me hulumtimin e ekonomisë joformale në pjesë të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikat doganore në veri të vendit.

Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, konsideron se mbi 100 milionë euro është shuma që humb buxheti vetëm gjatë një viti nga ekonomia e paligjshme që zhvillohet në atë zonë.
Ne vlerësojmë se shuma e humbur e deklaruar nga institucionet, mund të jetë rreth 20 për qind, ndërsa 80 për qind nuk deklarohet.


“Ne vlerësojmë se shuma e humbur e deklaruar nga institucionet, mund të jetë rreth 20 për qind, ndërsa 80 për qind nuk deklarohet. Dhe, kjo është një humbje e shumëfishtë”,
thotë Shahini.

Edhe eksperti tjetër, Muhamet Sadiku, pohon se humbjet janë më të mëdha se 30 milionë euro. Ai thotë se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet burim serioz i ekonomisë joformale dhe kontrabandimit të mallrave.

“Mendoj se ky diversion tregtar që i bëhet Kosovës në pjesën veriore, duhet të jetë më i lartë, pasi që kjo vazhdon të bëhet pa pengesë në tri vitet e fundit dhe është gjithnjë në rritje e sipër”
, pohon Sadiku.

Por, hulumtimet e mëhershme të disa organizatave ndërkombëtare, tregojnë se zhvillimi i ekonomisë joformale në tërë territorin e Kosovës, dëmton buxhetin për rreth 700 milionë euro në vit.

Sidoqoftë, më 19 shkurt bëhen tre vjet që kur serbët patën djegur pikat kufitare në Leposaviq dhe Zubin Potok, të njohura si Pika 1 dhe 31, periudhë kjo kur edhe janë larguar doganierët kosovarë nga kjo pjesë.

Ndërkaq, një vit më vonë, në këto pika kufitare janë vendosur doganierët e EULEX-it, të cilët i regjistrojnë, por nuk i zhdoganojnë mallrat që hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Për këtë, ekspertët theksojnë nevojën për të zvogëluar shkallën e ekonomisë joligjore në këtë pjesë. Agim Shahini thotë se autoritetet kompetente duhet të marrin masa konkrete për ta eliminuar këtë dukuri.

Shahini, madje, shpreh dyshimin se situata aktuale në veri të Kosovës, po vazhdon në këtë mënyrë për shkak të grupeve të caktuara të interesit.
Këtu kanë gjetur interes, qoftë biznesmenët shqiptarë, biznesmenët serbë dhe të tjerë.

Çështja e Mitrovicës tashmë e di krejt bota se është politikë. Por, nuk është aq shumë politikë, sa interes biznesor që bëhet. Dhe, këtu kanë gjetur interes, qoftë biznesmenët shqiptarë, biznesmenët serbë dhe të tjerë".

"Pra, këtu duhet pasur kujdes, sepse këtu është në interes të dikujt për të lënë në Kosovë një vrimë të zezë, që kurdo që atyre u duhet, të merret shembull Mitrovica si shembull i keq i mosfunksionalizimit të shtetit”
, thekson Shahini.

Ndërkaq, profesori Muhamet Sadiku, thotë se çelësi i zgjidhjes së këtij problemi qëndron në instalimin e shtetit ligjor edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Po, sigurisht që kjo situatë ka krijuar edhe grupe të caktuara që janë të përfshira në këtë tregti ndërkombëtare, pse jo edhe grupe mafioze. Dhe, sa më tepër që zgjat kjo situatë, aq më mirë do të jetë mirë për këto grupe, të cilat janë të involvuara në këtë tregti jolegale. Prandaj, kjo situatë do të duhej të ndërpritet
”, vlerëson Sadiku.

Ndryshe, udhëheqës të Doganave të Kosovës, tashmë kanë theksuar angazhimin e tyre për ta luftuar ekonominë joligjore në atë zonë.

Sipas tyre, Doganat e Kosovës kanë bashkëpunim të ngushtë me policinë, administratën tatimore, me të cilat kanë krijuar një task-forcë për t’i goditur, siç thonë, grupet e caktuara kriminale.

Lexoni edhe këto:

Huruglica: Vështirësi - moskontrolli i kufirit në veri
Ekonomia e paligjshme “avullon” një buxhet të tërë