Ndërlidhjet

Në luftë me ekonominë e paligjshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Format e ekonomisë së paligjshme në Kosovë, siç është evazioni fiskal dhe kontrabanda, kanë filluar të luftohen intensivisht nga autoritetet doganore.

Masat e marra së fundmi nga Doganat e Kosovës kanë rezultuar të jenë të efektshme në luftën kundër ekonomisë joformale në vend.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se treguesi më i qartë që dëshmon zvogëlimin e kontrabandës në Kosovë është rritja e të hyrave nga doganat.

“Doganat e Kosovës për çdo vit po e intensfikojnë luftën e vet kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës. Në realitet, rezultatet që i kemi publikuar vazhdimisht tregojnë se kemi pasur sukses shumë të mirë në këtë vit në parandalimin e këtyre dukurive dhe në atë se e kemi bindur një pjesë të madhe të biznesit se rruga e vetme është që të bëhet prezantimi i drejtë i obligimeve doganore”, thotë Huruglica.

Lidhur me vetëdijësimin e kompanive për kryerjen e detyrimeve tatimore, përfaqësues të biznesit në Kosovë thonë se është rritur numri i personave, të cilët në mënyrë vullnetare i kryejnë obligimet e tyre. Mirëpo, gjithashtu ka edhe biznese, të cilat me vështirësi i përmbushin detyrimet e tyre.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se në Kosovë nevojitet krijimi i një kulture të mirëfilltë fiskale.

“Tatimet në Kosovë në një masë shumë të madhe janë duke u paguar vullnetarisht, por ende mbetet për t'u vetëdijesuar qytetari kosovar që obligimet ndaj shtetit duhet të kryhen për atë që ka kryer veprimtarinë e vet dhe është ngarkuar me ndonjë taksë”, sqaron Shahini.

Shahini kërkon nga autoritet kosovare që të kenë një funksionim më korrekt me bizneset lidhur me këtë çështje.

“Ne kemi edhe raste publike, të cilat po tregojnë që ende në Kosovë duhet të forcohet ligji; me forcimin e sistemi ligjor, shteti ynë do të fitojë më tepër”, thekson Shahini.

Megjithatë, veriu i Kosovës mbetet pjesa më e ndjeshme ku mund të zhvillohet ekonomia e paligjshme. Prishtina zyrtare nuk e ka shtrirë ende kontrollin e saj në atë pjesë, siç nuk ka bërë as misioni evropian për sundimin e ligjit.

Mosprania e doganierëve kosovarë në këto pika kufitare, sipas Huruglicës, ka bërë që dukuria e kontrabandimit të jetë më e shprehur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG