Ndërlidhjet

Humbjet nga ekonomia joformale në Kosovë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ekonomia joformale vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë dhe në këtë mënyrë po i çrregullon aktivitetet legale, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, mbi 30 për qind e tregut kosovar është treg i zi.


Ekonomia e paligjshme vazhdon të jetë e pranishme në përmasa të mëdha në tregun kosovar, bëjnë të ditur ekspertë për çështje ekonomike. Ata thonë se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve qeveritarë, ideve dhe formimit të grupeve punuese për ta parandaluar këtë fenomen, një gjë e tillë nuk vërehet në praktikë.

Viteve të fundit Aleanca Kosovare e Biznesit, është marrë me hulumtimin e ekonomisë joformale në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Agim Shahini, kryetar i kësaj aleance, thotë se mbi 30 për qind e mallit në tregun kosovar, llogaritet të jetë treg i zi. Shahini, madje, thotë se pjesa veriore e Kosovës është vendi ku më se shumti zhvillohet ekonomia e paligjshme.

“Dhe, ky është një çrregullim i madh i aktiviteteve legale. Është edhe një konkurrencë e padrejtë ndaj bizneseve dhe atyre që u nënshtrohen taksave të produkteve, taksave të të hyrave në fitime dhe të pagave”
, thotë Shahihi.

Në anën tjetër, Xhevat Meha shpreh shqetësimin se ekonomia joformale, i kalon përmasat e parashikuara të organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Meha shprehet se niveli i lartë i korrupsionit në vend, ka bërë që shkalla e ekonomisë joligjore të jetë shumë e lartë.

“Çdo raport i korrupsionit e vë Kosovën në shkallë të lartë, ai korrupsion është i lidhur drejtpërdrejt edhe me shkallën e ekonomisë joformale, sepse nëse ekonomia formale është e forcuar, atëherë është shumë më vështirë edhe për korrupsionin të bëhet dhe të fshihet. Ndërsa, me këtë nivel të joformalitetit, sigurisht që edhe korrupsioni gjen strehë të lehtë”,
shprehet Meha.

Hulumtimet e disa organizatave ndërkombëtare, tregojnë se zhvillimi i ekonomisë joformale në Kosovë, dëmton buxhetin për rreth 700 milionë euro në vit.

Ndërkaq, sipas një llogaritjeje që ka bërë Aleanca Kosovare e Biznesit në dy vitet e fundit, buxheti i Kosovës kanë humbur mbi 400 milionë euro vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ndryshe, Shahini shpreh mendimin se për të qenë më e efektshme lufta ndaj këtij fenomeni, duhet shtuar masat në të gjitha pikat kufitare.

“Kjo është një ndër parakushtet dhe kushtet kryesore. Përderisa nuk kontrollohet kufiri, atëherë joformaliteti nga jashtë do të jetë shumë prezent”.

“Dhe, nëse kemi kontroll të plotë, atëherë ne mund të merremi me joformalitetin brenda. Edhe kjo është prezente, por jo në përmasë të madhe ashtu si paraqitet shpesh. Por, i tërë ky çrregullim vjen nga importet e palejueshme”,
thekson Shahini.

Ndërkaq, gjatë zbatimit të një projekti për zvogëlimin ekonomisë joformale, të bërë nga Aleanca Kosovare e Biznesit, është theksuar se shkaktar kryesor i kësaj dukurie është mosfunksionimi i shtetit ligjor.

Projekti, i cili ka pasur për qëllim rishikimin e ligjeve dhe rregullave ekzistuese që ndikojnë në rritjen apo zvogëlimin e ekonomisë joformale, ka treguar se në Kosovë në të gjithë sektorët ekonomia joformale është në përmasa shqetësuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG