Ndërlidhjet

Kufijtë e brishtë dhe kontrabanda


Jarinë
Jarinë

Autoritetet e rendit të Kosovës, thonë se nga brishtësia e kufijve buxheti i vendit humb deri në 15 milionë euro në vit. Ndërkaq, përgjegjësinë kryesore për sigurinë e kufijve në veri, sipas tyre, e ka EULEX-i dhe KFOR-i.





Autoritetet e rendit të Kosovës kanë kërkuar nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, që të forcojë më shumë kontrollin e pikave kufitare në veri të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Kufitare, Shaban Guda, thotë se përgjegjësinë më të madhe për kontrollin e kufijve në veri të Kosovës, e ka policia e EULEX-it dhe KFOR-i. Sipas tij, çështja e sigurisë së kufijve në pjesë veriore të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë.

“Kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit në pjesën veriore të Kosovës ende është e brishtë. Policia e Kosovës është edhe më tutje në ato dy pika të kalimit të kufirit, por është në sistemin e komandës së unifikuar të EULEX-it”.

“Ende nuk e kemi kontrollin e plotë. Ende kalimi nëpër ato pika të kalimit të kufirit, nuk bëhet me standarde të kërkuara të kontrollit kufitar”
, thotë Guda.

Ndërsa, drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Hurglica, thotë se kalimet ilegale të kufijve, kontrabanda e mallrave të ndryshme, si dhe moskontrollimi i duhur i kufijve nga ana e organeve shtetërore të vendit, bëjnë që kufijtë e Kosovës në veri të mos jenë të sigurt në masën e duhur.

“Ne kemi qasje pjesërisht në pjesën veriore të Kosovës dhe me aksione 24-orëshe po mundohemi ta ndalojmë atë kontrabandë. Por, një fakt që nuk mund ta mohoj është mungesa e doganierëve në ato dy pika kufitare lë hapësirë që ende një pjesë e atyre mallrave të kontrabandohet”,
sqaron Hurglica.

Sipas Huruglicës, nga brishtësia e kufijve dhe kontrabandimi i mallrave, buxheti i Kosovës humb deri në 15 milionë euro në vit.

“Përveç derivateve të naftës, kemi edhe një sasi të barnave që kontrabandohet. Askush nuk mund të thotë me një vërtetësi të plotë se janë këto mallra, ose një pjesë e atyre mallrave sërish kthehet mbrapa në Serbi, po vlerësimet shkojnë që ato humbje ikin prej 12 deri në 15 milionë euro në vit”,
deklaron Hurglica.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Policisë Kufitare, Shaban Guda, edhe në vijën e gjelbër në kufi me Serbinë, kontrabanda është e theksuar.

“Edhe në vijën e gjelbër patrullojmë bashkërisht me KFOR-in, ose në situata kur KFOR-i na lejon edhe në mënyrë vetanake të bëjmë patrullim edhe në këtë pjesë në veriun e Kosovës, në kufi me Serbinë kontrabanda është e theksuar”,
thotë Guda.

Analistët politikë kanë konstatuar së fundmi se kërcënimet e njëpasnjëshme, si krimi i organizuar dhe kontrabanda, por edhe kalimet e kufijve pa lejen e autoriteteve të vendit po e cenojnë në mënyrë permanente shtetin e Kosovës.

Ata thonë gjithashtu se tejkalimi i sfidave serioze të sigurisë në Kosovë, duhet të bëhet me një punë më serioze, gjë që, sipas tyre, aktualisht nuk është duke ndodhur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG