Nëntë ditët e GJND-së

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Pesëmbëdhjetë gjykatësit e GJND-së, prej të cilëve 8 ishin nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 7 nga ato që këtë nuk e kanë bërë, për nëntë ditë me radhë kanë dëgjuar argumentet e Kosovës, Serbisë dhe të 27 vendeve tjera.

Epilogu i seancave dëgjimore përfundoi 14 me 12 në favor të Kosovës kundruall Serbisë.

Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë mbështetur: Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania.

Në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë kanë dalë: Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e ka të përcaktuar asnjë afat deri kur duhet të deklarohet, por supozohet se do ta thotë fjalën e vet në pranverë të vitit të ardhshëm.

Një nga mundësitë është që GJND-ja fare të mos deklarohet rreth rastit të Kosovës.


Dita 9

ditën e fundit të procesit në GJND kanë dëshmuar Venezuela dhe Vietnami, që të dyja në favor të Serbisë.

Të dyja këto vende kanë përsëritur tezat se “Kosova ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e rrjedhimisht edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.

Venezuela dhe Vietnami kanë pohuar se e drejta për vetëvendosje mund të zbatohet vetëm në rastet e kolonive, ndërsa Kosova, sipas tyre, nuk e ka këtë të drejtë.


Dita 8


ditën e tetë të interpretimit juridik të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, Holanda dhe Anglia u vunë në mbrojtje të kësaj deklarate, duke apostrofuar “të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, pasi që më parë ishin eksploatuar të gjitha mundësitë tjera për zgjidhje të çështjes”.

Kjo e drejtë, sipas tyre, “del edhe nga shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, që janë dëshmuar në OKB dhe Tribunalin e Hagës”.

Rumania, një nga pesë vendet e BE-se që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka hedhur poshtë pohimet se e drejta ndërkombëtare “nuk e rregullon (sanksionon) çështjen e secesionit”.

Kjo qasje, sipas Rumanisë, “përmban shumë rreziqe, sepse kjo do të thotë se çdo distrikt mund të shpallë pavarësinë”.


Dita 7

Ishin Franca, Jordania dhe Norvegjia, vendet që në ditën e shtatë të procesit në GJND njëzëri mbështetën pavarësinë e Kosovës.

Franca, madje, ka kërkuar nga GJND-ja “të mos japë fare mendim rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, sepse, siç u tha, kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi praktike, pasi që pavarësinë e Kosovës tashmë e kanë njohur 63 vende.

Jordania ka thënë se “Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë Serbisë, ndërsa është aneksuar dhe është mbajtur me dhunë; shqiptarët e Kosovës janë popull dhe u takon e drejta e vetëvendosjes, sepse, pos tjerash, përbëjnë grup kompakt në planin politik, gjuhësor dhe çdo kuptim tjetër, që jeton me shekuj në territorin e Kosovës”.

Norvegjia gjithashtu ka mbështetur pa asnjë hezitim pavarësinë e Kosovës, duke pohuar se “GJND-ja nuk ka përse të merret me integritetin territorial dhe as çështjen e vetëvendosjes, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kontradiktë me asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare”.


Dita 6


Dita e gjashtë u shënua si mbrojtja më e fuqishme e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara.

“Lëreni të qetë pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është vullnet i popullit dhe faktor stabiliteti në Ballkan”, ka thënë përfaqësuesi amerikan në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Harold Koh.

"Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk përmban asgjë në kundërshtim me këtë të drejtë".

Ai ka pohuar se nga qindra deklarata të pavarësisë, asnjë nuk është hedhur poshtë nga e drejta ndërkombëtare dhe kjo nuk bën të ndodhë as me Kosovën.

Rusia, ndërkaq, është kundërpërgjigjur, duke thënë se “shumë deklarata të pavarësive janë konsideruar të paligjshme nga Këshilli i Sigurimit”, duke marrë si shembull Qipron Veriore.

”Në vitin 2008 nuk kishte kërcënim ndaj popullit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të merret si argument për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë përfaqësuesi rus.

Spanja ka konsideruar se Rezoluta 1244 është ende në fuqi, ndërsa procesi politik për gjetjen e zgjidhjes është ende në vazhdim e sipër, gjithnjë derisa Këshilli i Sigurimit nuk miraton një vendim tjetër.

Ndërkaq, Finlanda, pa asnjë hezitim, ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se pas rënies së Murit të Berlinit, rrethanat kanë ndryshuar…është populli ai që e cakton fatin e territorit dhe jo territori fatin e popullit.


Dita 5


ditën e pestë, qëndrimet e tyre i ka shpalosur fillimisht Kina, e pastaj Qiproja, duke e kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Sipas tyre, “respektimi i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së dhe OSBE-së dhe shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve”.

Edhe përfaqësuesit e këtyre vendeve mendojnë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”.

Në mbrojtje të pavarësisë u vunë Kroacia dhe Danimarka, duke vlerësuar se "pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces politik dhe se Kosova është një rast ‘sui generis’".

Të dyja këto vende kanë shprehur fuqishëm qëndrimet e tyre se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, sepse ajo nuk prejudikonte epilogun e procesit politik".


Dita 4


Dita e katërt e debatit mbi pavarësinë e Kosovës nisi me shpalosjen e qëdrimeve nga Bolivia dhe Brazili. Të dyja këto vende mendojnë se “Kosova nuk ishte koloni, nuk ishte e okupuar dhe as territor i vetadministruar dhe si e tillë nuk ka pasur të drejtën e vetëvendosjes”.

Sipas tyre, “institucionet e përkohshme të Kosovës, me shpalljen e pavarësisë, kanë shkelur Rezolutën 1244 dhe, rrjedhimisht, edhe zotimet politike të atyre që e miratuan këtë dokument”.

Në mbrojtje të pavarësisë ishte Bullgaria, e cila ka argumentuar se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”.

Një qëndrim të balancuar ka shpalosur Burundi, duke thënë se "kualifikimi i shpalljes së pavarësisë së Kosoves si akt jo i ligjshëm nuk do të kishte asnjë efekt praktik, sepse Kosova do të vazhdonte të ekzistonte si gjendje faktike".


Dita 3


ditën e tretë të shqyrtimeve para gjykatës, Austria ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë akt konform së drejtës ndërkombëtare.

Ambasadori austriak, Helmut Tiki, ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Azerbajxhani dhe Bjellorusia u rreshtuan kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar se secesioni gjithnjë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”,

Të dyja këto vende e kanë kontestuar edhe të drejtën e vetëvendosjes në Kosovë, duke vlerësuar se në rastin e Kosovës nuk mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes që del nga pozita koloniale, sepse, siç kanë thënë, ajo e tillë nuk ka qenë.


Dita 2


Një ditë më parë, në seancë janë paraqitur Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite në favor të Kosovës, duke mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj. Argjentina, ndërkaq, e ka kundërshtuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë.

Shqipëria dhe Gjermania, madje, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, kanë kontestuar “të drejtën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Të dyja këto vende, së bashku edhe me përfaqësuesin e Arabisë Saudite, e kanë cilësuar pavarësimin e Kosovës si një faktor stabiliteti në rajon.

Argjentina, ndërkaq, ka vlerësuar se “me pavarësinë e Kosovës, është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri te marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”.


Dita 1


Në ditën e parë të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë dhënë argumentet e tyre mbi ligjshmërinë apo jo të deklaratës së pavarësisë.

“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa - për të zhvilluar negociata të mëtejshme rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, në fjalën e tij.

Ai ka nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Ndërkaq, Dushan Batakoviq, udhëheqësi i delegacionit serb, ka thënë se “deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”. Ai, megjithatë, ka shtuar se “Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.