Dita e dytë e shqyrtimit të ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, shënon fillimin e paraqitjes së qëndrimeve që shtetet kanë mbi këtë deklaratë.
Vendi i parë që doli në mbështetje të Kosovës ishte Shqipëria, ambasadori i së cilës në Holandë, Gazmend Barbullushi, foli për suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës në vitin 1989.
Ky vendim për heqjen e autonomisë, sipas ambasadori shqiptar, “u pasua me dhunë e represion nga Serbia deri në vitin 1999, duke pasur për synim spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët”.
“Sot Kosova është një shtet multi-etnik dhe i zotuar për parimet e demokracisë. Ajo është shndërruar në një faktor stabiliteti në rajon” , tha ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Gazmend Barbullushi.
Në emër të Shqipërisë, ka folur edhe eksperti Johan Frovein, i cili ka tërhequr vërejtjen se Kosovën deri më tash e kanë njohur 63 vende dhe këto “njohje nuk mund të kontestohen nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare”.
Ajo që është e kontestueshme, sipas tij, “është e drejta e Gjykatës Ndërkombëtare për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.
Zoti Frovein ka thënë se, “edhe nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jepte një mendim negativ për shpalljen e pavarësisë, ajo nuk do të mund të ndryshonte gjendjen faktike në Kosovë”.
Edhe Gjermania ka mbajtur një qëndrim të fuqishëm në favor të Kosovës. Atë e ka prezantuar Suzan Vasum Rainer, e cila ka folur për shkeljen dhe diskriminimin masovik në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe.
Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar se “shpallja e pavarësisë ka qenë në harmoni me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare”.
“Gjermania konsideron se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit në Ballkan. Shpallja e pavarësisë nuk është bërë nga institucionet e përkohshme, por nga institucionet e zgjedhura në rrugë demokratike, që kanë artikuluar vullnetin e popullit”, ka zonja Vasum Rainer.
Sipas saj, “Kosova është një rast i veçantë” dhe sa për shpalljen e pavarësisë, ajo ka thënë se “e drejta ndërkombëtare nuk është kompetente të vlerësojë, sepse këtë çështje nuk e ka të sanksionuar”.
Edhe përfaqësuesja e Gjermanisë ka pohuar se Rezoluta 1244 nuk përmban asnjë element me anë të të cilit do të mund të ndalonte pavarësimin e Kosovës.
“Shpallja e pavarësisë nuk përbën shkelje të Rezolutës 1244. Kosova përmbush kushtet për të qenë e pavarur, sepse ka popullatën, territorin dhe qeverinë e vet”, ka thënë Suzan Vasum Rainer.
Duke e vlerësuar pavarësinë e Kosovës si një gjendje faktike, e cila s’mund të injorohet, përfaqësuesja e Gjermanisë ka thënë se “parimi i vetëvendosjes në rastin e Kosovës është i pranueshëm si zgjidhja e fundit dhe e vetmja e mundshme për shkak të diskriminimit, shkeljeve masovike dhe të të drejtave të njeriut”.
Për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga vendet e rajonit, zonja Vasum-Rainer ka thënë se kjo ka dëshmuar faktin se këto vende i besojnë aftësisë së Kosovës për t’i kontribuar stabilitetit.
Në mbyllje, ajo ka ka përkujtuar 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duke e cilësuar atë si “ushtrim të së drejtës për vetëvendosje të popullit gjerman”.
Oratori i radhës ka qenë ambasadori i Arabisë Saudite në Holandë, Abdullah Al -Shagrud.
Ai ka thënë se duke njohur pavarësinë e Kosovës, Arabia Saudite ka respektuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për të qenë i pavarur, duke i kontribuar stabilitetit në rajon.
Përfaqësuesi i Arabisë Saudite ka ftuar GJND-në që të ketë parasysh faktin se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar stabilitetit të vendit dhe të rajonit.
Në seancën e sotme, ishte vetëm Argjentina ajo që e ka kundërshtuar shpalljen e pavarësisë. Përfaqësuesja e saj, Suzana Ruiz Çeruti, e ka cilësuar deklaratën e pavarësisë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Argumentimin e saj ajo e ka bazuar në, siç ka thënë, faktin se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në harmoni me Rezolutën 1244, sepse kështu është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri tek marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”.
Zonja Çeruti ka pohuar se “dokumenti nga Ramubeja nuk parasheh të drejtën e pavarësimit të Kosovës”.
Përfaqësuesja e Argjentinës ka shtuar se “shkelja e të drejtave të njeriut nuk justifikon të drejtën e shkëputjes së një vendi, por vetëm rikthimin e këtyre të drejtave të shkelura”. Për dallim nga folësit tjerë, ajo ka thënë se është pikërisht GJND-ja ajo që është kompetente të vendosë për këtë çështje.
”Pavarësia e Kosovës ka shkelur parimin e integritetit territorial dhe nuk është në harmoni me të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka konkluduar përfaqësuesja e Argjentinës, Suzana Ruiz Çeruti.
Ndryshe, janë gjithsejt 28 shtete që kanë deponuar qëndrimet e tyre deri më tash, për dhe kundër deklaratës së pavarësisë. Të enjten, në seancën dëgjimore do të paraqitet fillimisht Austria, pastaj Azerbajxhani, Bahreini dhe Bellorusia.
Dita 1
Në ditën e parë të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë dhënë të dyja argumentet e tyre mbi ligjshmërinë apo jo të deklaratës së pavarësisë.
“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen shefi i diplomacisë kosovare, Skender Hyseni, në fjalën e tij.
Ai ka nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.
Dushan Batakoviq ndërkaq, udhëheqësi i delegacionit serb, ka thënë se “deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”. Ai megjithatë ka shtuar se “Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.
Interesim të madh kanë zgjuar edhe ekspertët e të dyja palëve, emra të njohur botërisht në fushën e së drejtës ndërkombëtare.
Mbrojtësi i argumenteve të Serbisë, Andreas Zimerman, ka pohuar se “Rezoluta 1244 ka qenë garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Rezoluta 1244 nënkupton që çdo zgjidhje të jetë e harmonizuar ndërmjet dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë”.
Daniel Milller ndërkaq, nga ekipi i mbrojtësve kosovarë, ka thënë se “ligji ndërkombëtar mund vetëm të regjistrojë faktin e Kosovës së pavarur, e cila disponon territorin dhe popullatën e vet. E drejta ndërkombëtare nuk saktëson nëse shpallja e pavarësisë është e ligjshme ose e paligjshme”.