Ndërlidhjet

Argumentet e Kosovës dhe Serbisë


Deklaratën e pavarësisë, delegacioni nga Kosova e ka cilësuar në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, bazuar në parimin e vetëvendosjes. Delegacioni nga Serbia e ka quajtur këtë deklaratë si të paligjshme, bazuar në Rezolutën 1244.


Argumentet e Kosovës


Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në paraqitjen e tij para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht ka folur për pozitën në të cilën gjendet Kosova sot, për të ofruar, siç ka thënë, substancë të rëndësishme për këtë proces.

Në këtë kuadër, zoti Hyseni ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “Kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave”.

Zoti Hyseni ka përmendur edhe “ligjet e miratuara që mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisaari, sikurse është decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare”.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë, dhe në të vërtetë përkundër presionit serb, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Pajtimi ndërmjet të gjitha komuniteteve tona ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë zoti Hyseni. Ai ka folur edhe për zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, duke u thirrë në vlerësimet e misioneve vëzhguese, të cilat këtë proces e kanë cilësuar si të lirë, të drejtë dhe demokratike.

“Bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol vital në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, dhe në ofrimin e shpresës dhe perspektivës për popullin e Kosovës”, ka thënë ministri i jashtëm kosovar, duke nënvizuar këtu edhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

“Ne sot jemi në paqe, por sikur e dini, ka qenë një kohë kur gjendja në Kosovë ishte ndryshe. Kjo është dokumentuar mirë, përfshirë në vendimin e shkurtit të këtij viti të Tribunalit për ish-Jugosllavinë në rastin Milutinović. Ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që është ushtruar mbi popullin e Kosovës; gjëra të këtilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë”, ka thënë ministri Hyseni, duke shprehur edhe përkushtimin dhe vendosmërinë për të shikuar drejt së ardhmes.

“Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi”, ka vënë në pah zoti Hyseni.

Duke folur ndërkaq për kërkesat e Serbisë për negociata të mëtejshme për çështjen e statusit, ai i ka cilësuar ato si të pamundshme dhe të padobishme.

“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen ministri i jashtëm, për të nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Ai ia ka rikujtuar Gjykatës edhe faktin se më 2005, “ka pasur një pajtueshmëri të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare se status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme”.

“Edhe pse për të gjetur një zgjidhje, ishte lëvizur çdo gur, populli i Kosovës duhej të ecte përpara. Mungesa e qartësisë për statusin e stagnonte ekonominë tonë, dekurajonte investimet ndërkombëtare dhe nuk na e lejonte qasjen për huamarrje në institucionet ndërkombëtare financiare”, tha Hyseni.

Pas dy dekadash izolimi, lufte dhe pasigurie politike, ka thënë ai, ishim të rraskapitur.

“Ata të cilët sot thërrasin për ripërtëritje të negociatave janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin”, ka thënë ministri kosovar.

Duke folur për vetë Deklaratën e Pavarësisë, të cilën zoti Hyseni e cilësoi si “manifestim dhe realizim të vullnetit politik të popullit të Kosovës”, ministri i jashtëm tha se nëpërmjet saj, “Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare” dhe “për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit”.

Në mbyllje të paraqitjes, ai tha se “pavarësisht vështirësive të së kaluarës, dhe vuajtjeve nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, ne ende dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë”.


Në favor të Kosovës


Eksperti ndërkombëtar, Majkëll Vud, fillimisht ka thënë se pohimet që u dëgjuan paradite nga delegacioni i Serbisë, nuk kanë të bëjnë me realitetin.

Vud ka pohuar se është shumë e rëndësishme të dihet konteksti në të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ai ka thënë se në fillim të shekullit të kaluar, Kosova ishte okupuar me dhunë nga Serbia.

Mbretëria e Serbisë, në periudhën 1912-18, me dhunë ka okupuar Kosovën që ishte pjesë e Perandorisë Otomane, ka thënë Majkëll Vud, për të shtuar se Serbia, në vitet pasuse, kishte vazhduar me persekutime dhe kolonizim masovik.

Ai ka vënë në pah se Kosova gjithnjë ka qenë entitet autonom, ndërsa në ish-Jugosllavi njësi federale, si Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe njësitet tjera.

Statusi që Kosova kishte me Kushtetutën e vitit 1974, ishte i barabartë me atë të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe të republikave të tjera, ka thënë Vud.

Në mbyllje, ai ka folur për angazhimet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që përfunduan me konkludimin e shumë faktorëve ndërkombëtarë dhe Marti Ahtisarit, se pos pavarësisë, zgjidhje tjetër për Kosovën nuk ka.

Pas zotit Majkëll Vud ka folur eksperti tjetër ndërkombëtar, Daniel Myller, i cili gjithashtu ka thënë se pohimet e delegacionit serb, të bëra paradite, ishin të pabazuara në disa rrafshe.

Me ligjet ndërkombëtare njihet e drejta e Kosovës për shpallje të pavarësisë dhe këtë të drejtë e bën të bazuar e drejta për vetëvendosje, ka thënë Daniel Myller.

Ligji ndërkombëtar mund vetëm të regjistrojë faktin e Kosovës së pavarur, e cila disponon territorin dhe popullatën e vet, ka thënë Myller, për të shtuar se e drejta ndërkombëtare nuk saktëson nëse shpallja e pavarësisë është e ligjshme ose e paligjshme.

Ai ka thënë se rastet e shpalljeve të pavarësisë nuk mund të shpallen nga e drejta ndërkombëtare as valide dhe as jovalide.

Myller ka apostrofuar si raste të ngjashme me pavarësinë e Kosovës shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Maqedonisë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe për më shumë është rasti i fundit i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, që kishte filluar në vitet ’90, ka thënë Myller dhe ka shtuar se kjo e drejtë e saj del nga ushtrimi i së drejtës për vetëvendosje dhe për shkak të krimeve që janë bërë mbi popullatën e saj.

I fundit në mbrojtje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës ka folur eksperti ndërkombëtar, Shon Marfi.

Ai i ka hedhur poshtë pohimet e Serbisë se Rezoluta 1244 nuk ka lejuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Serbia, disa herë, ka përsëritur se Rezoluta 1244 ndalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por në këtë rezolutë nuk ekziston asnjë dispozitë që ndalon një gjë të tillë, ka thënë Shon Marfi.

Fjalori i përdorur në Rezolutën 1244, në asnjë detaj, nuk saktëson se Kosova nuk mund të pavarësohet dhe ajo, sa i përket statusit të Kosovës, është neutrale, ka thënë Marfi, i cili në mbyllje të ekspozeut të tij ka përkujtuar Konferencën e Rambujesë dhe formulimin e miratuar atje për vullnetin e popullit.


Argumentet e Serbisë

Në seancën e parë dëgjimore rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, delegacionin e Serbisë e ka udhëhequr ambasadori i këtij vendi në Francë Dushan Batakoviq.
Delegacioni serb


Në argumentimin e tij, ai tha se për organizatat ndërkombëtare, “veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë”, deklarata unilaterale e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës, "është një sfidë shumë e madhe".

Ai tha se "ajo sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial".

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë rëndësi fundamentale jo vetëm për zhvillimet në Kosovës, por edhe për rendin ndërkombëtar, ka vënë në pah Batakoviq.

Ai e ka cilësuar edhe kësaj radhe Kosovën si “djep të Serbisë”, duke përsëritur kësisoj një formulim tashmë të njohur të Serbisë zyrtare. Sipas zotit Batakoviq, është pikërisht deklarata e pavarësisë ajo që i shndërroi serbët në Kosovë në një minoritet.

“Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, ka thënë Batakoviq, për të shtuar se “megjithatë, Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.

Në të shumtën e kohës, Batakoviq është thirrur në Rezolutën 1244, që, sipas tij, “garanton integritetin territorial të Serbisë”.

Ai ka thënë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe disa vende të caktuara “kanë bërë presion që pavarësia të imponohet si zgjidhje”.

Batakoviq, me këtë rast, ka akuzuar, siç ka thënë ai, “ekstremistët shqiptarë për krime, veçanërisht pas fushatës së bombardimeve në vitin 1999” dhe në këtë kuadër, ka përshkruar “kishat e rrënuara ortodokse serbe dhe zbrazjen e Prishtinës nga serbët”.

"Deklarata unilaterale e pavarësisë", ka thënë Batakoviq, "është një përpjekje që t’i jepet fund administrimit të UNMIK-ut dhe sovranitetit të Serbisë në Kosovë".

Në mbyllje, Batakoviq ka thënë se “Serbia është e bindur se kur GJND-ja të japë mendimin e vet këshillëdhënës, vetëm atëherë do të krijohen kushte për bisedime të reja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës”.


Në favor të Serbisë

Në favor të Serbisë ka folur edhe avokati Vladimir Gjeriq, duke përmendur aspektet procedurale dhe në këtë drejtim, sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të duhej të jepte mendimin këshillëdhënës në favor të Serbisë.

Gjeriq ka thënë se mendimi këshillëdhënës në këtë rast do të jetë në shërbim të rendit ndërkombëtar.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nga, siç ka thënë ai, “organet e përkohshme të vetadministrimit në Kosovë, nën Rezolutën 1244 dhe në këto rrethana, nuk ka mundur të jetë legjitime”.

Mbrojtësi i radhës i argumenteve të Serbisë ishte eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Andreas Zimerman, i cili ka pohuar se “Rezoluta 1244 ka qenë garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”.

Zimerman ka nënvizuar se “Rezoluta 1244 nënkupton që çdo zgjidhje të jetë e harmonizuar ndërmjet dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë”.

Malkolm Shau ndërkaq, pjesëtar i ekipit të Serbisë, ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet tjera është irelevante.

“Ajo që është e paligjshme nuk mund të konsiderohet si e ligjshme nga veprimet e palës së tretë”, u ka thënë ai gjyqtarëve, duke tërhequr vërejtjen se nëse mendimi i gjykatës shihet si dobësim i parimeve për të drejtat e një shtetit mbi tërësinë territoriale, “atëherë do të jetë burim i konsiderueshëm i nervozizmit për vendet tjera që përballen me lëvizje secesioniste”.
XS
SM
MD
LG