Franca, Jordania dhe Norvegjia pro Kosovës

GJND

Franca, Jordania dhe Norvegjia kanë mbështetur para GJND-së në Hagë, pa asnjë hezitim, pavarësinë e Kosovës. Franca ka thënë se GJND-ja nuk ka fare përse të deklarohet, sepse Kosova tashmë është njohur nga 63 shtete, ndërsa Jordania dhe Norvegjia kanë pohuar se kosovarët gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes.


Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ka vazhduar debati rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës me ekspozetë e Francës, Jordanisë dhe Norvegjisë, që unanimisht kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësuesja e Francës, Hedvig Belliar, ka kërkuar nga GJND-ja të mos japë fare mendim rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi praktike, pasi që pavarësinë e Kosovës tashmë e kanë njohur 63 vende.

Ajo ka thënë se çështja që po diskutohet, është gjendur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në formë artificiale. Belliar ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sepse ajo nuk e rregullon çështjen e secesionit.

Përfaqësuesja e Francës, në vazhdim, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar as parimin e integritetit territorial, sepse ai ka të bëjë me raportet ndërshtetërore, por jo me vende të caktuara, për të shtuar se rasti i Kosovës është ‘sui generis’, siç është çdo shpallje e pavarësisë.

Në emër të Francës ka folur edhe përfaqësuesi tjetër, Matias Fortju, që ka thënë se rasti i Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët me rastet siç janë: Rodezia, Qipro ose Kongo.

Fortju, në vazhdim, ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, për të shtuar:

“Delegacioni i Serbisë, në tekstin e shkruar, ka pranuar se nuk ka dispozitë specifike në të drejtën ndërkombëtare që ndalon secesionin, por, megjithatë, Beogradi vazhdon të thotë se pavarësia e Kosovës është e paligjshme, që është një kontradiktë”, ka konkluduar përfaqësuesi i dytë i Francës, Matias Fortju.

Pavarësinë e Kosovës e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i Jordanisë, Princi Zeid Al Husein, ambasador i këtij vendi në SHBA.

Ai ka thënë se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është e drejtë sovrane e vendeve të caktuara. Në vazhdim, ai ka folur për suprimimin e autonomisë së Kosovës, privimin e shqiptarëve nga të gjitha të drejtat dhe për dhunën që Serbia ka ushtruar ndaj kosovarëve.

Princi Zeid Al Husein ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë Serbisë, ndërsa është aneksuar dhe është mbajtur me dhunë, për të shtuar se shqiptarët e Kosovës janë popull dhe u takon e drejta e vetëvendosjes, sepse, pos tjerash, përbëjnë grup kompakt në planin politik, gjuhësor dhe çdo kuptim tjetër, që jeton me shekuj në territorin e Kosovës.

Përfaqësuesi i Jordanisë ka thënë se e drejta ndërkombëtare ka qëndrim neutral ndaj shpalljeve të pavarësisë dhe ka shtuar se nëse një entitet ka popullatën, territorin dhe qeverinë, si në rastin e Kosovës, ai konsiderohet shtet.

Princi Zeid Al Husein, në mbyllje, ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që si dy shtete fqinje dhe të barabarta të bisedojnë për çështjet me interes të dyanshëm.

Edhe përfaqësuesi i Norvegjisë, Rolf Fife, ka mbështetur pa asnjë hezitim pavarësinë e Kosovës. Ai fillimisht ka përsëritur tezën që në Hagë është dëgjuar shumë shpesh, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje që sanksionohet me të drejtën ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, nuk mund të jetë në kundërshtim me të.

Rolf Fife ka pohuar se Kosova gëzon të drejtën e vetëvendosjes dhe për të argumentuar këtë tezë është thirrur në dokumentet e Rambujesë, ku është i apostrofuar “vullneti i popullit” të Kosovës dhe për të shkuar edhe më larg dhe për të konstatuar se për faktin që Rezoluta 1244 përmban dokumentin e Rambujesë, ajo anticipon edhe vetëvendosjen për Kosovën.

Për të ilustruar këtë konstatim, ai është thirrur edhe në kumtesat e Grupit të Kontaktit para vitit 1999, në të cilat ishte thënë se me rastin e përcaktimit të statusit të Kosovës, duhet të respektohet vullneti i shumicës.

Përfaqësuesi i Norvegjisë ka thënë se me rastin e votimit në Kombet e Bashkuara, që çështja të dërgohet në Hagë para GJND-së, 77 vende kanë votuar për, ndërsa 115 kanë abstenuar dhe ka konstatuar:

“Kjo dëshmon se për shkak të korrektësisë politike, ne kemi dashur që Serbisë t’i jepet rasti që këtë çështje ta shtrojë për shqyrtim”, ka thënë Fife dhe menjëherë ka shtuar se “Kosova nuk përbën një precedent, ndërsa Rezoluta 1244 nuk ndalon shpalljen e pavarësisë”.

“GJND-ja nuk ka përse të merret me integritetin territorial dhe as çështjen e vetëvendosjes, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kontradiktë me asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare”, ka konkluduar përfaqësuesi i Norvegjisë, Rolf Fife.


Dita 6


Dita e gjashtë u shënua si mbrojtja më e fuqishme e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara.

“Lëreni të qetë pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është vullnet i popullit dhe faktor stabiliteti në Ballkan”, ka thënë përfaqësuesi amerikan në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Harold Koh.

"Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk përmban asgjë në kundërshtim me këtë të drejtë".

Ai ka pohuar se nga qindra deklarata të pavarësisë, asnjë nuk është hedhur poshtë nga e drejta ndërkombëtare dhe kjo nuk bën të ndodhë as me Kosovën.

Rusia, ndërkaq, është kundërpërgjigjur, duke thënë se “shumë deklarata të pavarësive janë konsideruar të paligjshme nga Këshilli i Sigurimit”, duke marrë si shembull Qipron Veriore.

”Në vitin 2008 nuk kishte kërcënim ndaj popullit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të merret si argument për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë përfaqësuesi rus.

Spanja ka konsideruar se Rezoluta 1244 është ende në fuqi, ndërsa procesi politik për gjetjen e zgjidhjes është ende në vazhdim e sipër, gjithnjë derisa Këshilli i Sigurimit nuk miraton një vendim tjetër.

Ndërkaq, Finlanda, pa asnjë hezitim, ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se pas rënies së Murit të Berlinit, rrethanat kanë ndryshuar…është populli ai që e cakton fatin e territorit dhe jo territori fatin e popullit.


Dita 5


ditën e pestë, qëndrimet e tyre i ka shpalosur fillimisht Kina, e pastaj Qiproja, duke e kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Sipas tyre, “respektimi i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së dhe OSBE-së dhe shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve”.

Edhe përfaqësuesit e këtyre vendeve mendojnë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”.

Në mbrojtje të pavarësisë u vunë Kroacia dhe Danimarka, duke vlerësuar se "pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces politik dhe se Kosova është një rast ‘sui generis’".

Të dyja këto vende kanë shprehur fuqishëm qëndrimet e tyre se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, sepse ajo nuk prejudikonte epilogun e procesit politik".


Dita 4


Dita e katërt e debatit mbi pavarësinë e Kosovës nisi me shpalosjen e qëdrimeve nga Bolivia dhe Brazili. Të dyja këto vende mendojnë se “Kosova nuk ishte koloni, nuk ishte e okupuar dhe as territor i vetadministruar dhe si e tillë nuk ka pasur të drejtën e vetëvendosjes”.

Sipas tyre, “institucionet e përkohshme të Kosovës, me shpalljen e pavarësisë, kanë shkelur Rezolutën 1244 dhe, rrjedhimisht, edhe zotimet politike të atyre që e miratuan këtë dokument”.

Në mbrojtje të pavarësisë ishte Bullgaria, e cila ka argumentuar se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”.

Një qëndrim të balancuar ka shpalosur Burundi, duke thënë se "kualifikimi i shpalljes së pavarësisë së Kosoves si akt jo i ligjshëm nuk do të kishte asnjë efekt praktik, sepse Kosova do të vazhdonte të ekzistonte si gjendje faktike".


Dita 3


ditën e tretë të shqyrtimeve para gjykatës, Austria ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë akt konform së drejtës ndërkombëtare.

Ambasadori austriak, Helmut Tiki, ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Azerbajxhani dhe Bjellorusia u rreshtuan kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar se secesioni gjithnjë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”,

Të dyja këto vende e kanë kontestuar edhe të drejtën e vetëvendosjes në Kosovë, duke vlerësuar se në rastin e Kosovës nuk mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes që del nga pozita koloniale, sepse, siç kanë thënë, ajo e tillë nuk ka qenë.


Dita 2


Një ditë më parë, në seancë janë paraqitur Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite në favor të Kosovës, duke mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj. Argjentina, ndërkaq, e ka kundërshtuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë.

Shqipëria dhe Gjermania, madje, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, kanë kontestuar “të drejtën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Të dyja këto vende, së bashku edhe me përfaqësuesin e Arabisë Saudite, e kanë cilësuar pavarësimin e Kosovës si një faktor stabiliteti në rajon.

Argjentina, ndërkaq, ka vlerësuar se “me pavarësinë e Kosovës, është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri te marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”.


Dita 1


Në ditën e parë të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë dhënë argumentet e tyre mbi ligjshmërinë apo jo të deklaratës së pavarësisë.

“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa - për të zhvilluar negociata të mëtejshme rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, në fjalën e tij.

Ai ka nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Ndërkaq, Dushan Batakoviq, udhëheqësi i delegacionit serb, ka thënë se “deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”. Ai, megjithatë, ka shtuar se “Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.