Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
16:54 28.12.2022

Rakiq: Serbët refuzojnë të tërhiqen nga barrikadat

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se serbët refuzojnë të tërhiqen nga barrikadat, edhe pse sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mendon se kjo do të ishte një gjë e mirë.

Kështu tha ai pas bisedimeve të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës me Vuçiqin.

“Sapo i kemi përfunduar bisedimet me presidentin Vuçiq, tani do të bisedojmë me njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi. Morëm lajme të rëndësishme për lirimin e [Dejan] Pantiqit dhe personave të tjerë të arrestuar, arritëm të lexojmë garancitë e Bashkimit Evropian se nuk do të ketë arrestime për pjesëmarrje në barrikada, si dhe garanci nga KFOR-i se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të vijnë në veri pa pëlqimin tonë”, tha Rakiq për televizionin serb, Pink.

Ai shtoi se Vuçiq mendon se është mirë që të hiqen barrikadat, por se serbët “nuk i besojnë Qeverisë së [Albin] Kurtit apo garancive ndërkombëtare”.

“E ftoj presidentin që të vijë në bisedime në Rashkë dhe t'i dëgjojë njerëzit në barrikada, sepse ne i besojmë vetëm presidentit Vuçiq”, tha Rakiq dhe shtoi se kërkesat e tyre do t'i paraqesë sonte.

17:10 28.12.2022

Petkoviq: Vuçiq u kërkoi serbëve që të tërhiqen nga barrikadat

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi se presidenti i Serbisë, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.

Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.

"Pas këtyre deklaratave zyrtar [të komunitetit ndërkombëtar], presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërko që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat", tha Petkoviq gjatë një konference për media më 28 dhjetor.

Ai tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

17:52 28.12.2022

Barrikada në Serbi mban mbyllur Merdaren

Pika e kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim si pasojë e vendosjes së barrikadës në rrugë, rreth dy kilometra brenda territorit të Serbisë. Radio Evropa e Lirë ju sjell pamje nga të dy anët e pikës kufitare të Merdares.

19:03 28.12.2022

MPJD: Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë për ndihmë nga bashkatdhetarët

Pas mbylljes së pikës tjetër kufitare të Merdares, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndihmë qytetarët e Kosovës që janë në lëvizje.

“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përfshirë edhe misionin tonë në Beograd, nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndihmë nga bashkatdhetarët, pas bllokimit të kufirit në Merdare nga grupet kriminale serbe”, tha Qëndresa Fazliu, zyrtare e lartë për komunikim.

Fazliu tha se MPJD fton të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje, që të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim.
Përveç Merdares, të mbyllura janë edhe pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakut.

Ndërsa të hapura janë pikat kufitare në Dheun e Bardhë, Mutivodë dhe Muçibabë.

Kosova dhe Serbia kanë një linjë kufitare 381 kilometra të gjatë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG