Ambasadori amerikan në Beograd: Koha për t’i hequr barrikadat
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha më 28 dhjetor se "e kupton zhgënjimin e serbëve", por tha se tani është koha për t’i hequr barrikadat.
“Më pyetët se çfarë mendoj për barrikadat, unë thashë se e kuptoj pse janë aty, por mendoj se tani është momenti që ata që i kanë vendosur duhet t’i heqin ato”, tha Hill për portalin Nova.rs.
Hill tha se një zgjidhje politike mund të gjendet përmes procesit të dialogut dhe se ky është fokusi i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.
"Duhet të arrijmë në pikën ku do të qetësojmë situatën dhe të merremi me çështjet politike që duhet të zgjidhen. Kjo është diçka që të gjithë po përpiqen ta bëjnë dhe shpresoj se do të kemi sukses", tha ai.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Hill tha se bëhet fjalë për një obligim të Prishtinës, dhe se nuk është çështje se a të formohet apo jo, por si do të funksionojë dhe në çfarë mënyre do të zbatohet.
Vuçiq: Cilido qoftë vendimi i popullit tonë, unë do ta pranoj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “cilido qoftë vendimi i popullit serb” për barrikadat, ai do ta pranojë.
“Do të jem me ta dhe do ta ruajmë unitetin serb”, shkroi ai në Instagram, ku tha se është duke shkuar për në Rashkë për tu takuar me serbët nga Kosova.
"Duke ditur se ata deri në çlirimin përfundimtar nuk do të kënaqen kurrë me asnjë vendim, me ndërgjegje dhe fytyrë të pastër, shkoj para tyre, i bindur se sot është një ditë e mirë për Serbinë, ngase kemi ruajtur paqen dhe kemi marrë garanci për sigurinë dhe mbijetesën e serbëve”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha sot se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën në 10 dhjetor nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
Nis takimi i Vuçiqit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Takimi po zhvillimet me ta në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Para takimit, presidenti i Serbisë tha se do të “pranojë çdo vendim” të serbëve nga Kosova.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Vuçiq: Kemi garanci se kërkesat tona për heqjen e barrikadave do të plotësohen
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova tha se janë dhënë garanci se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave do të plotësohen.
Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Në takim, ai tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.
Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.