Përshëndetje lexues të nderuar,
Po e nisim mbulimin direkt të zhvillimeve në veri të Kosovës, ku ditëve të fundit ka tensione në rritje, përfshirë incidente.
Ekipet e Radios Evropa e Lirë janë në terren për t’ju sjellë informacionet më të fundit nga ajo pjesë e Kosovës.
Qëndroni me ne!
AGK dënon sulmin ndaj një ekipi të gazetarëve në veri
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar të premten sulmin ndaj një ekipi të gazetarëve të mediumit Kallxo.com në veri të Mitrovicës.
Sipas komunikatës për media, ekipi i këtij mediumi është sulmuar nga "një grup i maskuar i serbëve në afërsi të Shkollës Teknike”.
Kallxo.com ka thënë se dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonave tjera të Mitrovicës.
Sipas saj, “sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit”.
AGK ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të kujdeset për të ofruar kushtet e duhura të sigurisë për raportimin e gazetarëve nga kjo pjesë e vendit.
Polici i plagosur në veri nuk është në rrezik për jetë
Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se polici i plagosur më 8 dhjetor në veri të Mitrovicës, nuk është në rrezik për jetë.
Ajo ka thënë se zyrtari policor është plagosur në shpatull, dhe tani do të transferohet në Prishtinë për t’iu nënshtruar një intervenimi kirurgjik.
Sipas Policisë së Kosovës, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.
Ky institucion ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”.
Raportohet për situatë të qetë në veri të Kosovës
Një zyrtar i Policisë së Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se situata në veri të Kosovës është aktualisht e qetë dhe “nuk ka persona të maskuar në rrugë, të cilët janë parë në orët e mëngjesit”.
“Personat e maskuar kanë qenë aty gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, por tani janë larguar”, ka thënë ky zyrtar policor.
Aktualisht nuk ka patrulla të policisë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, por vetëm në lagjen multi-etnike, Mëhalla e Boshnjakëve.