Tri pika kufitare me Serbinë, të bllokuara
Për shkak të barrikadave, tri pika kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë, aktualisht janë të bllokuara.
KFOR-i kërkon dialog për të zbutur tensionet në veri
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të mërkurën se mbështet dialogun ndërmjet të gjitha palëve për të zbutur tensionet në veri të vendit.
“Është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, tha komandanti i Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia.
“Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, shtoi ai.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për tensionet e vazhdueshme në veri
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Uashingtoni dhe Brukseli u bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
"Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet", thuhet në reagim.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga palët që të zbatojnë "pa vonesa të gjitha detyrimet e dialogut" për normalizimin e marrëdhënive, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
KFOR: Ushtrisë serbe s'i duhet autorizimi ynë për stërvitje në Serbi
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin serb.
Reagimi vjen pas raporteve se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, vizituan ditë më parë ushtrinë e pozicionuar në rajonin e Rashkës, rreth dy kilometra larg kufirit me Kosovën.
“Në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, Forcat e Armatosura të Serbisë duhet ta informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se disa njësite të tyre duhet të shkojnë më afër se 1.000 metra nga kufiri me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.
“Sa u përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës”, thuhet po ashtu në deklaratë.
KFOR-i tha se të gjitha palët i kanë respektuar gjithmonë marrëveshjet ekzistuese dhe se u bën thirrje që të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Misioni paqeruajtës tha se ka kapacitet për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet dhe theksoi se për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, mbështet dialogun.