Osmani: Plagosja e zyrtarit policor është veprim kriminal
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar veprim kriminal plagosjen e një zyrtari policor më 8 dhjetor në veri të Kosovës.
Policia ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata” nga një veturë me targa KM.
Sipas autoriteteve shëndetësore, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Osmani ka dënuar edhe sulmet ndaj gazetarëve, pas njoftimit se në mëngjesin e 9 dhjetorit, në pjesën veriore është sulmuar një ekip i mediumit kallxo.com.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ky ekip është sulmuar nga "një grup i maskuar i serbëve në afërsi të Shkollës Teknike”.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.
BE bën thirrje për përgjegjësi dhe shtensionim të situatës në veri
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja dhe vendet anëtare të saj janë “shumë të shqetësuara” për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
“BE-ja dhe vendet anëtare bëjnë thirrje për përgjegjësi dhe shtensionim [të situatës], sepse kjo, para së gjithash, është e nevojshme për mirëqenien e popullatës lokale”, tha Stano në një konferencë për media.
Ai shtoi se “situata në terren po monitorohet me shumë kujdes”.
Ai, gjithashtu, konfirmoi se misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, janë në rolet e tyre përkatëse, si reagues të dytë dhe të tretë - pas Policisë së Kosovës.