Përfundon numërimi i votave në një qendër në Zveçan
Në një qendër votimi në Zveçan, në veri të Kosovës, ka përfunduar numërimi i votave, bëjnë të ditur gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që po përcjellin procesin nga terreni.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente.
Qytetarët me të drejtë vote zgjodhën kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Sa i përket Zveçanit, në këtë komunë votuan 204 persona apo 2.92 për qind. Në garë për kryetar të kësaj komune ishin: Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, Sllagjana Pantoviq, që garoi si kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.
KQZ bëri të ditur se rezultati preliminar do të publikohet në ueb-faqen e këtij institucioni, pas orës 20:00.
Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind.
Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë.
Prokuroria: Asnjë rast penal gjatë zgjedhjeve në veri
Prokuroria e Shtetit tha se gjatë votimeve për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës nuk është evidentuar ndonjë rast për vepra penale kundër të drejtave të votimit.
“Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi”, u tha në njoftim.
Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi zgjedhor është zhvilluar pa asnjë problem.
Mbi 1.500 qytetarë votuan për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Po ashtu u votua edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk garoi në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotim të tyre.
LVV shpall fitoren në dy komuna veriore
Lëvizja Vetëvendosje tha se ka fituar “bindshëm” në garat për kryetarë komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Sipas Armend Mujës, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, partia e tij ka fituar mbi 60 për qind të votave në zgjedhjet për kryetarë në katër komunat në veri.
Ai pretendoi se në Mitrovicë të Veriut kanë fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq në Leposaviq mbi 70 për qind.
“Garë më e ngushtë është në Zubin Potok”, tha ai për mediat.
Ndërkaq, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se ai do të jetë kryetari i ri i kësaj komune.
“Do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve pa dallim. Po na presin punë të mëdha përpara. U bëj apel të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionin e komunës dhe në mua si kryetar komune”, tha ai për mediat.
Atiq tha se do të bashkëpunojë me të gjitha komunitetet.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, votuan 1.567 qytetarë.
Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe, partia serbe që mbështetet nga Serbia, dhe që deri më tani ka udhëhequr katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
KQZ publikon rezultatet preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok.
Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej.
Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota.
Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota.
Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.