Mirëmëngjesi të gjithëve!
Radio Evropa e Lirë po nis mbulimin direkt të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.
Nga selia qendrore në Pragë me ju do të jetë Valona Tela, ndërsa informacionet nga terreni do të na i sjellin: Sandra Cvetkoviq dhe Arben Hoti.
Na ndiqni!
Nëntëmbëdhjetë qendra votimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore për zgjedhjet e sotme lokale në pjesën veriore të vendit.
Të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej tyre të vendosura në kontejnerë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas KQZ-së, është 45.095.
Pritjet janë që pjesëmarrja të jetë e ulët, meqë Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila vetë nuk do të marrë pjesë në zgjedhje - ka bërë thirrje për bojkotim të procesit.
Thirrje të ndryshme drejtuar qytetarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit.
Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.
“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.
Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës - Lista Serbe - nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.