Lexues të nderuar,
Këtu po përfundojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës.
Faleminderit që na ndoqët!
Fituesit e zgjedhjeve në veri
Më 23 prill, qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës zgjodhën kryetarët e rinj. Dy partitë shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare, kanë fituar nga dy komuna.
Franca: Dalja e ulët në zgjedhje nuk i kontribuon zgjidhjes politike
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se i vjen keq që jo të gjitha partitë morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës.
“Zgjedhjet me kaq pak votues nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike”, shkroi ai në Twitter.
Por, ai theksoi se gjë pozitive ishte profesionalizmi i treguar nga autoritetet e rendit në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.
Autoritetet në Kosovë thanë se gjatë procesit zgjedhor nuk është regjistruar ndonjë incident.
Komisionit Qendror i Zgjedhjeve tha se pjesëmarrja në votime ishte pak më shumë se 3 për qind.
Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.
Në zgjedhje garuan 10 kandidatë për kryetarë komune. Vetëm një prej tyre ishte nga komuniteti serb.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotimin e procesit.
Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.
“Në veri vështirësitë janë më specifike, por probleme nuk do të ketë”, tha Sveçla në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.
Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.
Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.
Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.
Përfaqësues të kësaj partie thanë se nuk do të lejojnë që komunat në veri të udhëhiqen nga ata që “fituan 1 apo 2% të votave”, por nuk saktësuan se çfarë masash mund të ndërmarrin.
Duke folur për REL-in, ministri Sveçla tha se kryetarët e rinj “do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës”.
“Të gjitha objektet e administratës në Republikën e Kosovës janë pronë e shtetit. Nuk janë pronë e askujt dhe nuk janë subjekt i dëshirave të askujt. Ata [kryetarët e rinj] do të funksionojnë aty normalisht”, tha Sveçla.