Radoiçiq reagon pas zgjedhjeve në veri
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.
Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Zubin Potok - u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.
Pjesëmarrja në proces ishte e ulët - pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, Radoiçiq tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.
Radoiçiq tha se i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.
“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, tha Radoiçiq.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
SHBA: Keqardhje për mospjesëmarrjen e partive serbe në zgjedhje
Shtetet e Bashkuara sërish shprehën keqardhje që partitë serbe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që u mbajtën më 23 prill.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok. Përveç garave për kryetarët e rinj, qytetarët votuan edhe për zgjedhjen e përbërjeve të reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.
“Ne përkrahim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Është për të ardhur keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë. Votimi është një liri e rëndësishme e shoqërive demokratike”, u tha në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Sveçla: Kryetarët e rinj s’do të kenë probleme
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.
“Në veri vështirësitë janë më specifike, por probleme nuk do të ketë”, tha Sveçla në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.
Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.
Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.
Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.
Përfaqësues të kësaj partie thanë se nuk do të lejojnë që komunat në veri të udhëhiqen nga ata që “fituan 1 apo 2% të votave”, por nuk saktësuan se çfarë masash mund të ndërmarrin.
Duke folur për REL-in, ministri Sveçla tha se kryetarët e rinj “do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës”.
“Të gjitha objektet e administratës në Republikën e Kosovës janë pronë e shtetit. Nuk janë pronë e askujt dhe nuk janë subjekt i dëshirave të askujt. Ata [kryetarët e rinj] do të funksionojnë aty normalisht”, tha Sveçla.
Franca: Dalja e ulët në zgjedhje nuk i kontribuon zgjidhjes politike
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se i vjen keq që jo të gjitha partitë morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës.
“Zgjedhjet me kaq pak votues nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike”, shkroi ai në Twitter.
Por, ai theksoi se gjë pozitive ishte profesionalizmi i treguar nga autoritetet e rendit në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.
Autoritetet në Kosovë thanë se gjatë procesit zgjedhor nuk është regjistruar ndonjë incident.
Komisionit Qendror i Zgjedhjeve tha se pjesëmarrja në votime ishte pak më shumë se 3 për qind.
Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.
Në zgjedhje garuan 10 kandidatë për kryetarë komune. Vetëm një prej tyre ishte nga komuniteti serb.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotimin e procesit.