Voton Pantoviq
Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, votoi pak minuta pas orës 8 në njërën nga qendrat e votimit në këtë komunë.
Pantoviq është e vetmja nga komuniteti serb nga gjithsejtë dhjetë kandidatë që garojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Për ju që sapo jeni kyçur:
- Zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen sot në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar në orën 8:00 se të 19 qendrat e votimit kanë qenë të hapura.
- Në garë janë dhjetë kandidatë - prej tyre vetëm Sllagjana Pantoviq e komunitetit serb, e cila garon si e pavarur për kryetare të Zveçanit.
- Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, nuk merr pjesë në zgjedhje.
- Derisa autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje, ato në Serbi kanë apeluar për bojkot.
Policia: Kemi marrë masa për siguri dhe mbarëvajtje të zgjedhjeve
Policia e Kosovës përsëriti të dielën se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, për të ofruar siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.
Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - që të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe - po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë procesin.
Për më shumë lexoni këtu.
Pjesëmarrje e zbehtë në votime
Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren raportojnë për pjesëmarrje të ulët në votime për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
Gazetarja Sandra Cvetkoviq thotë se në një vendvotim në Zveçan, ku ka votuar kandidatja për kryetare e kësaj komune, Sllagjana Pantoviq, nuk ka votuar deri më tash askush tjetër përpos saj.
Ngjashëm raportohet të jetë situata edhe në komunat e tjera: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Sipas korrespondentëve, votues shihen vetëm në ato lagje ku jeton komuniteti shqiptar.