Veriu shkon në zgjedhje me vetëm një kandidate serbe
Alleksandar Jabllanoviq, kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit, është tërhequr nga gara vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Në garë mbeten dhjetë kandidatë, në mesin e tyre vetëm një nga komuniteti serb. Të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, disa qytetarë në veri të Kosovës thonë se nuk ka atmosferë zgjedhore në komunat e tyre.
Kryetari i KQZ-së: Qytetarët të dalin në votime, të ndërtojnë institucione legale
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Në këtë mënyrë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniqi gjatë një vizite në qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Në këtë vendvotim, sipas tij, deri më tash kanë votuar rreth 60 persona.
“Procesi është duke shkuar mirë dhe nuk ka ndonjë problem”, tha Radoniqi.
Zgjedhjet e parakohshme lokale janë duke u mbajtur në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Pjesëmarrja, megjithatë, pritet të jetë e ulët, pas thirrjeve të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – Lista Serbe – për bojkotimin e procesit.
Kjo parti ka kërkuar fillimisht formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë - për të cilën gjë Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar dhjetë vjet më parë - dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
Në qëndrimin e saj, ajo ka pasur mbështetjen e Beogradit.
Ish-kryetarja e KQZ-së: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.
“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat... Përsëritje nuk do të ketë”, thotë Daka.
Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren raportojnë për numër të vogël votuesish në komunat veriore me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, thotë Daka.
Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.