Prokuroria: Asnjë rast penal gjatë zgjedhjeve në veri
Prokuroria e Shtetit tha se gjatë votimeve për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës nuk është evidentuar ndonjë rast për vepra penale kundër të drejtave të votimit.
“Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të mbikëqyrë procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi”, u tha në njoftim.
Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi zgjedhor është zhvilluar pa asnjë problem.
Mbi 1.500 qytetarë votuan për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Po ashtu u votua edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk garoi në zgjedhje dhe bëri thirrje për bojkotim të tyre.
Përfundon numërimi i votave në një qendër në Zveçan
Në një qendër votimi në Zveçan, në veri të Kosovës, ka përfunduar numërimi i votave, bëjnë të ditur gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që po përcjellin procesin nga terreni.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente.
Qytetarët me të drejtë vote zgjodhën kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Sa i përket Zveçanit, në këtë komunë votuan 204 persona apo 2.92 për qind. Në garë për kryetar të kësaj komune ishin: Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, Sllagjana Pantoviq, që garoi si kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.
KQZ bëri të ditur se rezultati preliminar do të publikohet në ueb-faqen e këtij institucioni, pas orës 20:00.
Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind.
Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë.
Petkoviq: Fitues të zgjedhjeve, serbët që bojkotuan votimet
Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 23 prill se fitues të zgjedhjeve në veri të Kosovës janë “populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi këto zgjedhje sepse nuk dëshiron okupimin”.
“Kjo është një disfatë për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështeti [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin dhe deklaroi se do t'i njohë rezultatet” e zgjedhjeve, tha Petkoviq në konferencën për media të mbajtur në Beograd.
Petkoviq tha se, sipas të dhënave të autoriteteve në Serbi, në zgjedhje kanë votuar 13 persona të kombësisë serbe.
Ai i quajti zgjedhjet “antidemokratike dhe jolegjitime”. Petkoviq kritikoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që lejoi mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë, që ruheshin nga Policia e Kosovës.
Ai po ashtu tha se “nuk ka rrugë të mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë pa u themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
I pyetur se çfarë mund të pritet në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të paralajmëruar për 2 maj, Petkoviq tha se presidenti i Serbisë “nëse shkon në Bruksel më 2 maj, do të tregojë se mbron popullin serb, paqen dhe stabilitetin me gjithë fuqinë e tij”.
KQZ: Procesi zgjedhor përfundoi pa asnjë problem
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se është përmbyllur procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës.
Në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues.
Ata votuan për të zgjedhur katër kryetarë të rinj në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.
Kreu i KQZ-së, Kreshni Radoniqi, tha se procesi është zhvilluar pa asnjë problem dhe se rezultatet e para preliminare pritet të publikohen në ueb-faqen e saj pas orës 20:00.
Kjo është dalja në zgjedhje, sipas komunave:
Leposaviq: 141 votues apo 1.06 për qind
Zubin Potok: 385 votues apo 5.78 për qind
Zveçan: 204 votues apo 2.92 për qind
Mitrovicë e Veriut: 837 votues apo 4.62 për qind