Ndërlidhjet

Një qendër votimi në Zveçan.
Një qendër votimi në Zveçan.

Si u zhvilluan zgjedhjet në veri?

  • Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.
  • Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.
  • Dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind dhe nuk u raportua për ndonjë incident.
  • Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.
  • Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
19:26 23.4.2023

DnV: Zgjedhjet kaluan pa asnjë incident

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) tha se refuzimi i partive serbe dhe tërheqja e kandidatëve nga gara zgjedhore bëri që zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës, të bojkotoheshin nga votuesit serbë.

DnV ka vëzhguar zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përveç zgjedhjes së kryetarëve të rinj, qytetarët në këto komuna, të banuara me shumicë serbe, votuan edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

“Sa i përket administrimit të zgjedhjeve, është vërejtur një improvizim i procesit zgjedhor, duke nisur nga zhvillimi i zgjedhjeve në kontejnerë, që kanë zëvendësuar rreth 70 për qind të qendrave të zakonshme të votimit”, tha DnV.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

19:04 23.4.2023

Përfundon procesi zgjedhor në veri

Në katër komunat në veri të Kosovës kanë nisur të mbyllen qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme lokale.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut zgjodhën sot kryetarët e rinj.

Mbyllja e një qendre votimi në Mitrovicë të Veriut.
Mbyllja e një qendre votimi në Mitrovicë të Veriut.

Në Zveçan dhe Leposaviq qytetarët u votua po ashtu për të zgjedhur përbërjet e reja të asambleve komunale.

Dalja në zgjedhje deri në orën 15:00 ishte 2.4 për qind.

Procesi zgjedhor u bojkotua nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – e cila po ashtu bëri thirrje për bojkot.

Autoritetet nuk kanë raportuar për ndonjë pengim të procesit zgjedhor.

18:00 23.4.2023

Fotografi nga qendrat e votimit në veri

Në katër qendra të votimit në Zubin Potok nuk ka votuar asnjë qytetar për zgjedhjet e parakohshme lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, që i referohen daljes në zgjedhje deri në orën 15:00, pjesëmarrja në procesin zgjedhor ka qenë 2.4 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Qendra e votimit në Ujman të Zubin Potokut.
Qendra e votimit në Ujman të Zubin Potokut.
Kontejneri i vendosur në Bërnjak të Zubin Potokut.
Kontejneri i vendosur në Bërnjak të Zubin Potokut.
Qendra e improvizuar e votimit në Bërnjak.
Qendra e improvizuar e votimit në Bërnjak.
Fletëvotime në qendrën e votimit në Ujman të Zubin Potokut.
Fletëvotime në qendrën e votimit në Ujman të Zubin Potokut.

17:38 23.4.2023

Qendra të votimit pa asnjë votues

Në katër qendra votimi në Zubin Potok, nuk ka votuar asnjë qytetar për zgjedhjet e parakohshme lokale, raporton gazetari i Radios Evropa e Lirë, Shkelqim Hysenaj, i cili po përcjell nga afër zgjedhjet në veri, bashkë me kameramanin Bujar Tërstena.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në qendrën e votimit në Veli Breg të Zubin Potokut janë të regjistruar 4.111 qytetarë me të drejtë vote. Që nga hapja e kësaj qendre të improvizuar të votimit – të vendosur në kontejner – asnjë qytetar nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e votës.

Kontejneri i vendosur në Veli Breg të Zubin Potokut.
Kontejneri i vendosur në Veli Breg të Zubin Potokut.

Situatë e njëjtë është edhe në qendrën e improvizuar të votimit në Bërnjak, në afërsi të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas të dhënave të KQZ-së, në këtë qendër votimi mund të votojnë 629 votues.

Ndërkaq, në Jasenovik, në listën e votuesve janë 387 persona.

Në Çabër, ku banojnë edhe shqiptarë, deri në orën 17:00 kanë votuar më pak se 200 qytetarë. Në këtë qendër votimi, sipas KQZ-së, janë të regjistruar 1.534 votues.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG