Ndërlidhjet

Një qendër votimi në Zveçan.
Një qendër votimi në Zveçan.

Si u zhvilluan zgjedhjet në veri?

  • Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.
  • Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.
  • Dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind dhe nuk u raportua për ndonjë incident.
  • Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.
  • Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
16:26 23.4.2023

Zgjedhjet në veri ndajnë komunitetet

Anketë me qytetarët e Mitrovicës së Veriut lidhur me zgjedhjet e parakohshme lokale:

15:39 23.4.2023

KQZ: Dalja në zgjedhje, 2.4 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1.000 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.

KQZ-ja nuk raportoi për ndonjë pengesë në procesin zgjedhor.

Kjo është dalja në zgjedhje sipas komunave:

Leposaviq: 110 votues apo 0.33 për qind

Zubin Potok: 240 votues apo 3.6 për qind

Zveçan :145 votues apo 2.07 për qind

Mitrovicë e Veriut: 597 votues apo 3.3 për qind

15:16 23.4.2023

Konjufca bën thirrje për dalje masive në votime

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u bëri thirrje qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës që të votojnë “sa më masivisht” në zgjedhjet lokale.

Ai tha se zgjedhjet po mbahen “në një atmosferë të qetë dhe demokratike”.

“Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara”, shkroi ai në Facebook.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Po ashtu, qytetarët po votojnë për të zgjedhur përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

14:21 23.4.2023

Si zgjidhet kryetari i komunës?

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse ai apo ajo fiton më shumë se 50%, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, të hedhura në atë komunë.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50%, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon rundin e dytë të zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme.

Rundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diel, katër javë pas rundit të parë.

Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rundin e dytë, zgjidhet kryetar i komunës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG