Votime në kontejnerë
Një numër i vogël i qytetarëve është vërejtur paraditen e së dielës në qendrat e votimit në veri të Kosovës, ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale. Në këtë zonë, shumica e popullatës është serbe dhe ajo kundërshton pavarësinë dhe institucionet e Kosovës. Me mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe - partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës - nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit.
Pjesëmarrja deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat veriore, deri në orën 11:00, ka qenë si vijon:
- Leposaviq: 28 votues, apo 0.21%
- Zubin Potok: 65 votues, apo 1%
- Zveçan: 29 votues, apo 0.41%
- Mitrovicë e Veriut: 191 votues, apo 1.05%
Të drejtë vote, sipas KQZ-së, kanë 45.095 qytetarë.
Ish-kryetarja e KQZ-së: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.
“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat... Përsëritje nuk do të ketë”, thotë Daka.
Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren raportojnë për numër të vogël votuesish në komunat veriore me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, thotë Daka.
Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.