Radio Evropa e Lirë iu risjellë disa prej temave që i trajtoi gjatë vitit 2021, ku përfshihen tema nga shëndetësia, përballja me peshën e pandemisë, histori suksesi në fushën e biznesit, e deri te paralajmërimet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës.
Qindra placenta kutërbojnë në Gjinekologji
Frigoriferët në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ishin të mbushur me placenta, duke rrezikuar foshnjat e porsalindura, nënat dhe punëtorët shëndetësorë. Shumica e frigoriferëve qëndronin të hapur, për shkak se nuk ishin të stërmbushura. Këto mbetje duhej që të groposeshin, por qytetarët e fshatit Vranidoll të Prishtinës, refuzonin një gjë të tillë.
Kjo video fitoi çmimin vjetor për “Web-storien më të mirë” të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Klinikat infektuese të QKUK-së
Për shkak të një infeksioni të marrë gjatë trajtimit në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Remzi Rashica u detyrua që ta amputonte njërën këmbë.
Sipas të dhënave, çdo vit qindra pacientë marrin infeksione ndërspitalore. Vetëm më 2020 u infektuan mbi 350 pacientë.
Tetë vjet në kërkim të drejtësisë
Për shkak të neglizhencës së mjekëve në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, Salie Gajtani Osmankaq tha se ishte në prag të vdekjes.
Ajo tash e tetë vjet pret drejtësi, pasi paditi ekipin që udhëhoqi lindjen e fëmijës së saj të tretë.
Fytyrat prapa numrave
Radio Evropa e Lirë ka krijuar një hapësirë ku qytetarët mund të dërgojnë fotografi dhe dedikime për familjarët që kanë humbur nga pandemia e koronavirusit sepse pas shifrave të viktimave nga COVID-19 fshihen jetë të tëra, të mbushura me ëndrra për nesër.
Nëse keni humbur dikë dhe keni dëshirë ta kujtoni, na dërgoni një fotografi, me një kujtim për atë që keni humbur – një lamtumirë që s’e patët mundësinë t'ia thoni. Na kontaktoni në mediat sociale, në adresën cubollik@rferl.org ose përmes formularit më poshtë.
Le t'i kujtojmë së bashku.
Fytyrat e Reçakut
Zyrtarët serbë vazhdojnë ta quajnë “ngjarje të trilluar” vrasjen e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak.
Radio Evropa e Lirë ka krijuar një hartë ku tregohet se kush ishin viktimat dhe ku u gjetën trupat e tyre.
Për ngjarjet në Reçak ende nuk është dënuar askush.
Në kërkim të varrit...
Më 18 nëntor në Prishtinë u hap ekspozita “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”.
Emri i kësaj ekspozite është fragment i marrë nga një bisedë e mëhershme me Kumrije Jahmuratajn.
Kurmija që 22 vjet kërkon bashkëshortin e saj, që u zhduk më 1999.
“Është më lehtë të ketë një varr, sepse kur ka ndonjë festë, ndonjë mërzi, gëzim, shkon te varri dhe duket se bisedon me të. E di se aty gjenden eshtrat e tij”, thotë ajo.
Ekspozita në kujtim të 1,622 personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-2000 u dedikohet familjarëve të personave të pagjetur.
Ngufatja | Kosova e parë nga lart
Për shkak të ndotjes është shkatërruar natyra e Kosovës. Hedhja e mbeturinave në rrugë, djegia e maleve, ndotja nga tymtarët e KEK-ut, lumenjtë e shndërruar në kanalizime, dhe rreziku nga materiale tjera toksike, tashmë janë përditshmëri në Kosovë.
Kjo është Kosova e parë nga dronët e Radios Evropa e Lirë.
Kosova ia mësyn erës për prodhim të energjisë
Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga termocentralet.
Por, një projekt i madh i energjisë me erë është në prag të përfundimit në rajonin që njihet si Shala e Bajgorës në Mitrovicën e Jugut.
“Nuk po mundem të marr frymë”
Në gusht të 2021-shit, Radio Evropa e Lirë solli rrëfimin e Mërgime Kajtazit, juristes nga Mitrovica, e cila la familjen dhe karrierën në Kosovë për të jetuar në Shtetet e Bashkuara me bashkëshortin e saj.
Por, pasi filluan të jetonin së bashku në Nju Jork, bashkëshorti filloi dhunën fizike dhe psikike ndaj Mërgimes, që zgjati dy vjet.
“Kur ai vendoste të më rrihte, unë e dija. Çfarëdo që unë do të thosha nuk kishte rëndësi”, tregon Mërgimja.
Megjithatë, Mërgimja ka arritur që të dalë nga kjo lidhje e dhunshme dhe arriti të fitoi urdhrin e mbrojtjes, që i siguronte asaj që bashkëshorti nuk do kontaktonte apo t’i afrohej, përndryshe do të dënohej me pesë vjet burgim.
Më shumë artikuj nga rubrika ZËRI I SAJ
Gruaja që iu bë nënë 15 fëmijëve
Për 18 vjet me radhë, Sadete Hajrizi është kujdesur për fëmijët që nuk kanë përkujdesje prindërore.
Ajo është një SOS-nënë dhe jeton me pesë fëmijë që i konsideron si familje të saj.
Nëna që iu dha zë fëmijëve me Sindromën Down
Sebahate Hajdini Beqiri ka luftuar që djali i saj, Genci të ketë të drejta sikurse çdo fëmijë tjetër. Genci është me Sindromën Down dhe duke parë sesa shumë nevoja kanë kjo kategori e shoqërisë, Sebahatja vendosi që të hapë një organizatë dhe t’i ndihmojë ata.
Forca e gruas në sigurinë e Kosovës
Në Forcën e Sigurisë së Kosovës vetëm 11 për qind janë gra. Njëra ndër to është Lirijona Bajraktari, e cila shërben në kazermën “Minatori” në Mitrovicë në regjimentin e Këmbësorisë.
Ajo u lind më 1999, kur dhe përfundoi lufta e fundit në Kosovë.
“Si inspirim për t’u bërë ushtare, ka qenë historia të cilën e kemi kaluar....Në një mënyrë apo tjetër, çdonjëri nga ne është prekur nga historia e fundit. Kështu që kam menduar se ndoshta mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit, është pikërisht duke qenë pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë ajo.
FSK-ja aktualisht është në procesin e transformimit në Ushtri të Kosovës.
Gruaja me një biznes të rrallë
Kompania e Edona Demajt nga Prishtina grumbullon vajrat e përdorur nga sektori i gastronomisë dhe i eksporton jashtë vendit, me qëllim që të përpunohen.
Vaji konsiderohet një prej ndotësve më të mëdhenj të tokës dhe ujit.
Më shumë video nga rubrika FĒMINA
Nga një emigrant në investitor milionash
Ukë Blakaj ishte larguar nga Kosova për në Gjermani kur ishte vetëm 19 vjeç. Sot, një biznesmen i suksesshëm, Blakaj është duke investuar miliona për hapjen e një fabrike.
“Krijimi i një biznesi ishte shumë i vështirë, ka të bëjë me gjuhën, me mentalitetin, me disiplinën e punës. E lehtë nuk është, por me kohën jemi përshtatur edhe kushteve, edhe rregullave ligjore, dhe rregullave tjera dhe kemi arritur një sukses deri këtu ku jemi”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.
Kompania Wolf GMNH në Gjermani aktualisht numëron mbi 120 punëtorë. Kryesisht, tregon Blakaj, punëtorët janë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por ka edhe gjermanë dhe të nacionaliteteve të tjera.
Nga amvise në sipërmarrëse
Zahrije Malsiu nga Kaçaniku më 2017 filloi të grumbullojë bimë aromatike, që përdoren si lëndë e parë për çaj, ushqim dhe ilaçe.
Ajo thotë se me shitjen e këtyre bimëve mbulon shpenzimet e familjes së saj.
Biznesi i Malsiut tani numëron 20 punëtorë.
“Kur kam filluar biznesin kam pasur vetëm një dhomë të ndarë në shtëpi ku jetoja 4x4 metra dhe disa sitë të rënda (mjet më cilin pastrohen këto bimë). Hapësira ka qenë shumë e ngushtë. Ka pasur raste kur në dhoma i kam terur bimët. Vështirë ka qenë shumë të punohet, por unë nuk e kam ndërprerë, më ka mbajtur vullneti. Nevojitet hapësirë e madhe e punës sepse bimët duhet të teren dhe më pas të dërgohen për shitje”, thotë ajo.
Por, më pas ajo fitoi një donacioni të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dhe ndërtoi objektin 600 metra katrorë dhe aktualisht ka 20 fermere që mbjellin bimë aromatike për të.
Një vizë sa një rrogë
Edhe në vitin 2021, qytetarët e Kosovës mbetën pa liberalizim të vizave.
Por, megjithatë, ata vazhduan të aplikojnë në ambasada të ndryshme në Kosovë për viza të punës apo për ato për bashkim familjar.
Megjithatë, aplikimi për vizë i detyroi që të mblidhnin dokumente të ndryshme, të merrnin pushim nga puna për të shkuar për aplikim dhe një vizë në total iu kushtoi sa një pagë mujore.
“Në muajin shtator e kam bërë terminin. Në muajin tetor e kam dorëzuar (aplikimin për vizë) dhe para tri ditësh kam marr përgjigje. I kam ditur procedurat, kam paguar sigurim shëndetësor 142 euro për gjashtë muaj, formularët, fotografitë dhe përkthimet (kanë kushtuar) deri në 50 euro. Në ambasadë, për vizë kam paguar 72 euro dhe dhjetë euro për postë. Rroga mujore nuk më ka mjaftuar për këto shpenzime”, thotë Fatmir Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Studentja nga shteti joekzistent
Më 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Donika Elshani përfundoi online studimet master në një universitet në Holandë.
Por, kur i erdhi ftesa për diplomim, ajo pa se në diplomë i figuronte vendi i lindjes “Prizren, Republika Federale e Jugosllavisë” në vend të “Prizren, Kosova”.
Kjo bëri që ajo t’u drejtohej autoriteteve holandeze. Por, nga Ambasada e Kosovës, i thanë Radios Evropa e Lirë se për të gjithë qytetarët e ish-Jugosllavisë që jetojnë në Holandë, vlen një vendim i tillë.
Trembëdhjetë ditët e bllokadës në veri
Prej 20 shtatorit deri më 2 tetor, qytetarët serbë në veri të Kosovës bllokuan dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve.
Por, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për shtensionimin e situatës, duke çuar në heqjen e bllokadave dhe vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targat e automjeteve të shteteve respektive.
Kosova, portë e hapur për diplomacinë ruse
Që prej vitit 2005, Federata Ruse ka prezencë diplomatike në Kosovë. Në këtë vit në Prishtinë u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, por veprimtaria e saj është shfaqur fare pak në publik.
Më 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli dy diplomatë rusë persona non-grata (persona të padëshirueshëm), për shkak të, siç u tha, ata kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”.
Sa kushton energjia elektrike?
Në fund të vitit 2021, Kosova u përball me krizë energjetike dhe autoritetet rikthyen reduktimet e rrymës.
Megjithatë, kosovarët paguajnë më së paku në rajon për energji elektrike.
Rrjeti i biznesmenëve serbë të sanksionuar nga SHBA-ja
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuar i ka futur në listë të sanksionevenënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqin, si dhe Srgjan Vuloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin dhe Radulle Steviqin.
Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Shqiptari nga Kosova e mbështetë tenistin e ri serb
Një tenist i ri nga Kosova nga komuniteti serb, Filip Paviq do të shkojë në Zvicër në kërkim të një perspektive më të mirë. Një gjë e tillë iu mundësua nga një shqiptar nga Gjilani, i cili mësoi se Filipi nuk kishte kushte për stërvitje adekuate.
Filipi deri më tani ka fituar mbi 30 gara dhe ka arritur të zërë vendin e katërt të tenistëve më të mirë në kategorinë nën 16 vjeç.
Lufta për artefaktet e Kosovës
Në maj të vitit 2021, Kosova kërkoi zyrtarisht nga Serbia që t’ia kthejë artefaktet arkeologjike dhe historike që ishin marrë nga Kosova në fund të viteve ’90.
Institucionet janë zotuar se do të ndjekin të gjitha rrugët institucionale që këto eksponate të kthehen në Kosovë, por autoritetet në Serbi thonë se të gjitha artefaktet që burojnë nga Kosova, janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Serbisë.
Opera e Kosovës pa shtëpi
Më 3 gusht 2021 Kosova themeloi Operën e Kosovës. Por, sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe bashkëshorti i saj, dirigjenti Edon Ramadani janë në mesin e shumë artistëve që brengë e kanë ndërtimin e objektit të përshtatshëm ku ata do të mund të performojnë.
Në objekt i tillë do të quhej Teatri i Operës, planet për ndërtimin e të cilës kanë nisur qysh më 2003.
Kush është Xhemati Ahmedia në Kosovë?
Bashkësia Islame e Kosovës ngriti alarmin se po qarkullonin dy-tri kopje të pautorizuara të Kuranit, librit të shenjtë të fesë Islame. Kjo u tha se po bëhet nga personat e sektit Ahmedi, që sipas BIK-ut, janë përçarës. Nga ky institucion argumentojnë se ky sekt mohon se profeti Muhamed është profeti i fundit, ashtu siç besojnë myslimanët.
Por, në ueb-faqen, Xhemati Mysliman Ahmedia thotë se predikon “mësimet e vërteta të Islamit dhe mesazhin e paqes”.
Ky Xhemat është krijuar nga Mirza Ghulam Ahmed nga India në vitin 1889. Xhemati Ahmedia thotë se “myslimanët ahmedianë besojnë se ai është Mesihu i shumëpritur dhe Imam Mehdiu, të cilin e parashikon vetë profeti Muhamed”.
Kjo organizatë pretendon se ka 10 milionë predikues në 210 shtete të botës.
Brenda burgut të Shkupit: Maltretime psikike, fizike dhe korrupsion
Në burgun e Idrizovës, që është më i madhi në Maqedoninë e Veriut, një i burgosur thotë për Radion Evropa e Lirë se përballet me sjellje çnjerëzore nga punonjësit e burgut. Ndërkaq, kushtet në përgjithësi në burg, sipas tij, janë katastrofale.
“Gardianët sillen sikur të jenë rrugaçë, sjellja e tyre është katastrofale. Maltretime psikike kemi non stop, kemi edhe raste të sulmeve fizike dhe nuk kemi ku të ankohemi. Edhe mua më ka ndodhur një rast konkret, kam kërkuar ndihmë nga Avokati i Popullit, por as që ka ardhur të më kontaktojë. Pata një problem me një gardian, i cili më sulmoi ndërsa mua më dënuan, më ndërruan vendin, më dërguan në vetmi edhe pse kam probleme shëndetësore”, thotë ky i burgosur.
Zi e pikëllim për jetët e humbura në Bullgari
Më 23 nëntor, një autobus u aksidentuar në një autostradë të Bullgarisë, duke lënë të vdekur 45 persona nga Maqedonia. Në mesin e viktimave ishin edhe katër anëtarë të familjes Iseni nga Komuna e Studeniçanit në Maqedoninë e Veriut.
Erdoganin s'e brengos kolapsi i lirës
Monedha turke, lira humbi mbi gjysmën e vlerës së saj gjatë vitit 2021. Ekspertët thanë se arsye për rënien e lirës ishin politikat e gabuara, nga të cilat nuk po heq dorë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Të gjitha episodet e emisionit Expose
A do të ketë edhe një luftë në Ukrainë?
Grumbullimi masiv i ushtrisë ruse pranë kufirit me Ukrainën ka rritur frikën se Rusia po përgatitet që ta pushtojë shtetin fqinj. Por, Moska thotë se nuk ka plane të tilla.
Evropa ime është një hapësirë dedikuar qindra mijëra personave që për t’i ikur varfërisë, luftërave dhe dëshpërimit janë larguar nga shtëpitë e tyre për një jetë më të mirë në Evropë.
Facebook Forum