Opozita po i bën fajtorë Qeverinë dhe liderët e institucioneve të Kosovës, se me veprimet e tyre po e vënë në dyshim orientimin strategjik të vendit për të ardhmen euroatlantike.
Fajësimi i Bashkimit Evropian, nga krerët e institucioneve për izolimin dhe lënien anash të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave si dhe mungesa e një perspektive të qartë integruese me Strategjinë e fundit, po komentohen në mënyra të ndryshme nga opozitarët dhe përfaqësuesit e partive në pushtet.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani thotë se ishin veprimet e fundit të liderëve politikë, me të cilët u ndikua që Kosova të bëjë hapa prapa drejt Bashkimit Evropian.
"Liderët politikë që sot janë në pushtet, u kanë dhënë shumë arsye vendeve të BE-së, përfshirë edhe atyre që na kanë njohur, të mendojnë se Kosova nuk meriton përkrahjen e tyre, as në kontekstin bilateral e as në organizma multilateral, siç është BE-ja”.
“Kjo tregon jo vetëm qasjen e gabuar që ata kanë rreth integrimit evropian, por edhe mungesën e përgjegjësisë në një proces në të cilin më së shumti i pasojat i bartin qytetarët e Kosovës", tha Osmani.
Osmani tha po ashtu se pavarësisht faktit që rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e formalizuar, Strategjia e zgjerimit e publikuar nga Komisioni Evropian, konfirmon se reformat që duhet të ndërmerren duhet të jenë të shpejta dhe të prekshme, por të cilat aktualisht i mungojnë vendit.
"Kjo Qeveri fatkeqësisht që në ditët e para ka dëshmuar se nuk ka as vizion e as njohuri sesi të bëhet kjo. Prandaj, sa më parë që të largohet, aq më shpejtë qytetarët e Kosovës do të ecin drejt integrimit", u shpreh ajo.
Ndërkaq, deputetja Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu parti opozitare në Kuvend, tha se liderët politikë para se të fajësojnë Bashkimin Evropian se pse Kosova është lënë kaq larg BE-së, duhet të bëjnë një vlerësim se çka është bërë dhe çka nuk është bërë nga institucionet, për t'u përafruar me BE-në.
"Natyrisht se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet tona dhe njerëzit që kanë drejtuar këto institucione, sidomos në dekadën e fundit. Kjo nuk do koment sepse shumë nga detyrat që duhet të kryhen janë përgjegjësi e institucioneve tona. Sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, krijimi i një tregu konkurrues, nuk janë vetëm çështje të cilat ne duhet t'i përmbushim si kriter apo kushtet të vëna nga BE-ja. Këto janë çështje të cilat çdo shtet normal duhet t’i plotësojë për të rritur mirëqenien e qytetarëve", tha Pantina për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, deputetja Osmani tha se liderët politikë duhet t'i lexojnë mirë kërkesat e BE-së, ku potencohet qartë se kërkohen rezultate të prekshme në sundimin e ligjit.
Derisa në raportet e Bashkimi Evropian thuhet se “Kosova është shtet i kapur”, kjo sipas saj, tregon se nuk mund të shihet qartësi drejt integrimit evropian.
"Logjika që liderët aktual shtetërorë po e përdorin, duke fajësuar për gjithçka Bashkimin Evropian dhe duke injoruar detyrat e shtëpisë të cilat janë të përcaktuara ndër vite me radhë për Kosovën, është vetëm logjikë e gabuar dhe logjikë e cila e bën Kosovën që të bëjë hapa prapa", tha Osmani.
Një ditë pas publikimit të Strategjisë së re të zgjerimit nga Komisioni Evropian, ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili kishte kritikuar Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se BE-ja ka dështuar që ta adresojë qartë perspektivën integruese të Kosovës.
“Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën”, kishte vlerësuar Thaçi.
Ndërkohë, ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha ka theksuar se Kosova ka pritur më shumë dhe hapa më konkret në Strategjinë e re të Bashkimit Evropian për Ballkanin. Megjithatë, siç ka thënë ajo, Kosovës i mbetet të përfundojë detyrat dhe obligimet, në mënyrë që të ecë me hapa të shpejt drejt BE-së.
Në anën tjetër, edhe deputetja opozitare Shqipe Pantina mendon se si Kosova, ashtu edhe BE-ja, nuk kanë një koordinim të duhur.
"Këtu ka faj edhe vetë Bashkimi Evropian sepse ka pasur kompetenca të zgjeruara në fushat për të cilat më se shumti kritikohet Kosova edhe në këtë Strategji, por edhe në Raportet e mëhershme të Progresit nga BE-ja", tha Pantina.
Strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor e publikuar më 6 shkurt, ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, sipas së cilës, këto dy vende mund të anëtarësohen në BE diku në vitin 2025.
Përderisa vendet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Bonjë e Hercegovina dhe Kosova janë përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit, por pa ndonjë afat kohor për anëtarësim.
Krahas angazhimeve për zbatimin e kritereve evropiane për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë viteve të ardhshme, Kosova është vonuar për gati tri vjet me plotësimin e kriterit të kërkuar nga BE-ja për liberalizimin e vizave, që ka të bëjë me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.