Ndërlidhjet

Kriteri ekonomik, kushti kryesor në agjendën integruese evropiane


Ministri i Financave, Bedri Hazma duke ia dorëzuar raportin vjetor të Qeverisë, Shefes së Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova
Ministri i Financave, Bedri Hazma duke ia dorëzuar raportin vjetor të Qeverisë, Shefes së Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova

Kosova duhet t’i përmbushë kriteret ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të kualifikohet për tregun e përbashkët të BE-së, ka deklaruar Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova.

Këto komente, ajo i ka bërë pas pranimit të raportit vjetor të Qeverisë së Kosovës për reformat ekonomike për vitet 2018-2020.

Kriteret ekonomike evropiane, ka theksuar Apostolova, nënkuptojnë një ekonomi funksionale të tregut, që ka kapacitete t’i bëjë ballë konkurrencës brenda tregut të përbashkët të BE-së.

“Komisioni Evropian, për çdo vit, në Raportin për Kosovën, jep një pasqyrë të gatishmërisë dhe progresit në përmbushjen e kriterit ekonomik”, theksoi ajo.

“Programi i reformave ekonomike është shumë proces i rëndësishëm për BE-në. Është boshti i qeverisjes ekonomike, si një prej tre shtyllave të strategjisë së zgjerimit”, tha Apostolova.

Ajo e ka rikujtuar Qeverinë e Kosovës se zbatimi i kritereve ekonomike është kërkesë kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Programi për reforma në ekonomi përfshinë dialogun e strukturuar mbi qeverisjen ekonomike, si pjesë e bashkëpunimit institucional në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamzatha se edhe këtë vit, ky program u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

“Institucionet tona kanë punuar me përkushtim të lartë që mbi bazën e evidencës të identifikohen nevojat dhe veprimet për adresimin e pengesave strukturore të ekonomisë”, tha Hamza.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na pret një rrugë e gjatë e transformimit për të arritur konvergjencë me vendet anëtare të BE-së”, tha tutje Hamza.

Fokusi kryesor në këtë program, vijoi Hamza, është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, adresimin e boshllëqeve në infrastrukturën publike, orientimin e shpenzimeve për sektorët parësorë, ku bëjnë pjesë sektori i rendit, ai i edukimit, ai i shëndetësisë dhe sektori privat.

“Ambienti makroekonomik, për dallim nga viti i paraprak, është më i favorshëm dhe ofron rast të mirë që mundësitë fiskale t’i drejtojmë nga reformat afatgjata”.

“Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5 për qind, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes”, tha Hamza.

Programi për Reforma në Ekonomike është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 26 janar të këtij viti.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat e Raportit Vendor që njihet si Raporti i Progresit, me anë të të cilit matë përparimin e vendeve pretendente për anëtarësim në Bashkimin Evropian drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

Kriteri ekonomik, është vetëm një nga kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për anëtarësimin e vendeve në BE.

Në kuadër të kritereve ekonomike të BE-së, përfshihen: stabiliteti makro-financiar, ambienti mirëpritës biznesor, tregjet funksionale të fuqisë punëtore dhe financiare, nivelet kualitative cilësore në arsim, në infrastrukturë, inovacion dhe integrim ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG