Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për lirimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, nuk bëhet i plotfuqishëm pa një miratim e presidentit Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur se pas vendimit të tij, tani shkarkimi i Gashit nga posti i shefit të AKI-së do të ndodhë pasi që vendimin ta marrë edhe presidenti i shtetit, Hashim Thaçi.
“Rezultat i prishjes se marrëdhënieve ndërinstitucionale ka pasuar shkresa, vendimi im për lirim nga përgjegjësitë për të dytë. Ministri i Punëve të Brendshme është kompetencë vetëm e imja. Kurse shefi i AKI-së është proces i përbashkët i lirimit me presidentin e Kosovës. Gjysma e punës ka përfunduar, unë e kam liruar dhe gjysma tjetër i mbetet presidentit. Presidenti i ka procedurat e veta”, ka thënë Haradinaj.
Por, në anën tjetër Presidenti i Kosovës nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se a do të largojë nga pozita shefin e AKI-së.
Ky i fundit, ndonëse ishte ftuar të raportonte para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk është paraqitur aty fare. Raportimi i tij ndërlidhej me vendimin për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, përkundër që ata kishin leje valide qëndrimi.
Zëvendëskryetarja e Komisionit, deputetja Ganimete Musliu tha se zyrtarët e AKI-së kanë kërkuar që raportimin ta bëjnë pasi të hartojnë një raport për ngjarjet e fundit, të kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit thanë se nuk kanë informacione se a është duke punuar apo jo shefi i AKI-së, pas vendimit të kryeministrit për lirimin e tij nga detyra, pasi që presidenti ende nuk ka marrë vendimin e njëjtë.
Deputeti Arbër Rexhaj, anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar shefin e AKI-së për neglizhencë.
“Për herë të tretë po e neglizhon komisionin parlamentar, komisionin i cili i bënë kontroll demokratike AKI-së”, tha ai.
“Drejtori i AKI-së, nuk dihet a është i shkaktuar apo jo sepse deri më tash nuk na ka ardhur asnjë vendim”, tha Rexhaj.
Ndryshe, në bazë të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, presidenti së bashku me kryeministrin e Kosovës, emërojnë Drejtorin e AKI-së brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.
Ai, thuhet se do t'i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit. Kurse shkarkimi i tij bëhet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar, pra nga presidenti dhe kryeministri.
Javën e kaluar, bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve të inteligjencës të Turqisë dhe Kosovës, ka çuar në arrestimin dhe më pas edhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Pesë prej tyre ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.
Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan e fajëson klerikun fetar, Fethullah Gulen se qëndron prapa një tentim grusht-shteti më 2016.
Deportimi i këtyre personave, siç kanë deklaruar krerët e shtetit të Kosovës, ëshët bërë pa njoftimin e tyre, vetëm nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Një zhvillim i tillë kishte detyruar më pas kryeministrin e Kosovës, t’i lironte nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili tashmë është larguar nga Qeveria, si dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi. Por, ky i fundit pret edhe vendimin e presidentit të Kosovës.